Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në diskutimin me studentët e Universitetit Kolumbia, foli edhe për nismën “Ballkani i Hapur”, të cilën e vlerësoi si iniciativë organike, gjegjësisht bashkim ekonomik të Serbisë, Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, të ndërtuara mbi parimet evropiane për lëvizjen e lirë të mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve.
“Nëse largoheni nga Serbia drejt Hungarisë, atëherë nuk keni kontrolle kufitare deri në Skandinavi. Nëse shkoni në perëndim të Kroacisë, nuk keni kufij deri në Portugali. Nëse shkoni në jug çdo 100 kilometra keni një kufi dhe kjo krijon vështirësi për njerëzit, për ekonomitë, për transportuesit për logjistikën. Këta kufij krijojnë vetëm korrupsion dhe asgjë tjetër, prandaj unë qëndroj për Ballkanin pa kufij”, theksoi Kryeministri.
Me këtë rast, ai rikujtoi deklaratën e tij në Selanik, në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, kur ftoi në këtë nismë jo vetëm Kosovën, por edhe Italinë, Greqinë dhe Turqinë.
“Unë gjithmonë e ftoj Kosovën, sepse mësova se konflikti nuk është mënyrë dhe se për sfidën e hapur mes Serbisë dhe Kosovës duhet gjetur një zgjidhje diplomatike. Duhet të ulemi në të njëjtën tryezë me fqinjët tanë. Nëse nuk ulemi në të njëjtën tryezë me fqinjët tanë, nuk komunikojmë, nëse nuk komunikojmë, nuk mund t’i zgjidhim problemet”, theksoi Kovaçevski.