LajmeRajon

Kryetarja e Speciales pret që në fund të këtij viti të nisë gjykimi i krerëve të UÇK-së

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka përsëritur qëndrimin që e ka shprehur gjithmonë se kjo gjykatë merret me përgjegjësi penale individuale dhe jo me organizata, grupe apo etni.

“Së pari ne nuk jemi gjykatë një etnike, ne jemi gjykatë, e kemi mandatin që është vendosur me një marrëveshje ndërkombëtare, marrëveshjen e vitit 2014. Më pas me amendamentin kushtetues, neni 162 i është shtuar Kushtetutës së Kosovës, në mënyrë të qartë kemi të bëjmë me ngritjen e Dhomave të Specializuara, si dhe me ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, dhe kemi të bëjmë me krime të kryera në periudhën janar 1998-dhjetor 2000. Këtu është pika e dytë e rolit të prokurorit, Prokurori i Specializuar është për të vendosur se çfarë hetimesh do të ndërmarrë, kë do ta vë para përgjegjësisë dhe kjo është diçka që përsëritet vazhdimisht në media”.

“Dhe nuk e kuptoj pse ekziston kjo këmbëngulje në promovimin e kësaj pikëpamje për Dhomat e Specializuara të Kosovës, kemi të bëjmë me përgjegjësi penale individuale, për krime gjëja të kryera, dhe mandati ynë nuk ka të bëjë me organizata, me grupe, me etni. Pika e fundit, kemi viktima që kanë aplikuar deri më tani në punimet e katër rasteve para Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe janë absolutisht të etnive të ndryshme. Ka shqiptarë, për shembull në rastin e prokurorisë speciale kundër z.Mustafa, tetë viktimat janë shqiptarë të Kosovës. Pastaj kemi edhe viktima në rastin kundër z. Shala, kemi në rastin kundër ish-presidentit z.Thaçi, Krasniqi, Selimi dhe Veseli. Pra, kjo është përgjigja ime. Ne nuk jemi fare gjykatë një etnike”, ka thënë ajo për KosovaPress, një ditë para takimit të paralajmëruar me shoqërinë civile në Gjilan të cilën e anuloi për shkak të një proteste të paralajmëruar kundër vizitës së saj.

Edhe pse janë bërë gjashtë vjet prej themelit të kësaj gjykate dhe deri tani është shqiptuar vetëm një aktgjykim, Trendafilova e konsideron të suksesshme punën e Gjykatës Speciale.

“Pra, në dy vjet, unë jam mjaft pozitive për punën intensive që është bërë nga gjyqtarët, nga një ekip shumë i përkushtuar ligjor. Gjatë këtyre dy viteve kemi një aktgjykim, dhe ky aktgjykim është nxjerrë për më pak se tre muaj, vetëm për dy muaj dhe i tërë rasti para trupit gjykues zgjati më pak se 8 muaj, shtatë muaj e disa ditë. Kështu që tani kjo çështje është para panelit të Apelit që e kam caktuar, dhe presim që deri në fund të vitit të kemi një vendim përfundimtar nga Apeli. Pastaj edhe rasti tjetër, ai i z. Mustafa, po përfundon me një aktgjykim që presim nga trupi gjykues. Pastaj, nesër rasti kundër z. Shala do t’i kalohet të njëjtit trup gjykues që po merret me rastin e z. Mustafa”, thotë ajo.

Gjykata Speciale ishte krijuar me akuzat e para të mëdha nën pretendime për trafikim të organeve njerëzore, ndërsa në aktakuza pastaj nuk janë përmendur askund dyshimet për këto krime.

E për këtë kryetarja e Gjykatës Speciale thotë se nuk janë të kufizuar vetëm në atë që është pasqyruar në raportin e miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

“Ky raport i cili u miratua më 7 janar 2011 nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, nuk është instrument ligjor, nuk është mjet ligjor, nuk është pjesë e kornizës sonë ligjore, dhe siç thotë neni 1 i ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, dhe siç është vërtetuar nga aktgjykimi i Apelit, dhe më pas është konfirmuar nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, ne veprojmë vetëm për krimet që kanë të bëjnë me këtë raport. Por ky nuk është një raport që kufizon veprimtarinë e Dhomave të Specializuara, por vetëm çfarë është pasqyruar. Ky raport u pasua nga ngritja e Task Forcës Hetimore Speciale që kreu hetimin e saj dhe më pas nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Pra, formulimi u zgjodh posaçërisht në ligj, duke thënë krimet të cilat janë kryer në periudhën 1998-2000, që kanë të bëjnë me këtë raport, por ne nuk jemi të kufizuar vetëm në atë që është pasqyruar në raport”, thotë Trendafilova.

Lidhur me rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, kryetarja e Gjykatës Speciale thotë se është tejet voluminoz.

Megjithatë, pritshmëritë e saj janë që në fund të këtij viti të fillojë gjykimi.

“Pritshmëria pas seancave, pas diskutimeve në sallën e gjyqit, edhe vendimet që merren dhe janë publike, qasja shumë këmbëngulëse ndaj afateve shumë strikte të përcaktuara nga gjyqtari i procedurës paraprake, pritshmëritë janë që nga fundi i këtij viti, më së largu në fillim të vitit të ardhshëm, kjo çështje do të shkojë në gjykim. Por ky rast është një çështje shumë voluminoze, jo vetëm për shkak të numrit të të akuzuarve, por edhe për shkak se në seancën e kaluar më bëri përshtypje numri i faqeve që mbrojtja i komunikoi të gjithëve, sigurisht që seanca ishte publike. Unë gjithashtu nuk mund të ndjek seancat private, por numri i faqeve të provave shkon në një milion. Prokurori aktualisht po mendon të sjellë në sallën e gjyqit rreth 318 dëshmitarë, dhe mbrojtja, që nga nxjerrja e provave që prokuroria ka ndërmend të përdorë gjatë gjykimit, i është vënë në dispozicion mbrojtjes dhe mbrojtja po kryen hetimet e veta. Pra, ky është me të vërtetë një rast shumë i madh. Dhe standardi i arsyeshëm i kohës është shumë i rëndësishëm, por në të njëjtën kohë, nuk është e pazakontë që raste të tilla të mëdha mund të marrin pak më shumë kohë. Por shpresa ime është e bazuar në vlerësimin profesional, që kam zhvilluar ndër vite se do të kemi shumë shpejt procedime gjyqësore për këto çështje”.

Gjatë konferencave mbi ecurinë e çështjes, avokatët e ish-krerëve të UÇK-së kanë adresuar kritika në adresë të ZPS-së se e njëjta nuk po i nxjerr provat shfajësuese.

Kur pyetet për këtë, kryetarja e gjykatës thotë se prokuroria duhet t’i jap mbrojtjes provat shfajësuese sa më shpejtë që të jetë e mundur.

“Për shkak të detyrave të tjera, natyrisht, nuk mund të ndiqja çdo konferencë për ecurinë e çështjes. Natyrisht, kur mundem, thjesht shikoj seancat dhe çështje të tjera. Dhe sigurisht që është ngritur çështja që ju i referoheni, i provave shfajësuese, dhe këtu do të doja të theksoja se si ne gjyqtarët kemi reflektuar për provat shfajësuese, në provat e Rregullores së Procedurës dhe të Provave. Nëse krahasojmë, për shembull, kornizën ligjore për këtë çështje, me atë të GJNP-së, dispozita për provat shfajësuese është shumë më e butë për prokurorin. Prokurori duhet t’i zbulojë mbrojtjes prova shfajësuese sa më shpejt që të jetë e mundur. Dhe kur ne hartonim Rregulloren e Procedurës dhe të Provave, dhe në përvojën time në GJNP, ku prokurori mund të përfitonte shumë nga kjo dhe të zgjeronte shumë hartimin sa më shpejt të ishte e mundur. Unë u sugjerova kolegëve të mi dhe pa hezituar u miratua nga gjyqtarët formulimi që sugjerova dhe, formulimi i Rregullores sonë është se prova shfajësuese duhet të zbulohet menjëherë, sapo të jetë në dijeninë dhe posedimin e prokurorisë. Po ashtu edhe gjyqtari i procedurës paraprake ka nxjerrë vendime duke nxjerrë pika shumë, shumë të forta, siç janë këto prova shfajësuese, dhe ai i ka caktuar afatet kur duhet të zbulohen”.

Gjykatësit e Dhomave të Specializuara, Trendafilova i konsideron profesionistë të nivelit të lartë.

Ajo thotë se ata nuk mund të mbikëqyren nga Kuvendi apo Qeveria meqë ekziston ligji i veçantë për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar.

Show More

Related Articles

Back to top button