GostivarLajme

Banorët e Balindollit me aksion për pastrimin e oborrit të shkollës / Ankohen për mosefikasitet të institucioneve

Banorët e fshatit Balindoll janë bërë bashkë këtë fundjavë për të pastruar oborrin e shkollës. Iniciativa ka ardhur përmes një grupi banorësh, e nisur përmes rrejeteve sociale, e të cilës sot i ishin përgjigjur pozitivisht disa prej tyre. Paralelisht me pastrimin e pjesës gjelbëruese, banorët pastronin edhe terrenin sportiv të shkollës dhe pjesën e përparme të objektit përreth rrugës kryesore. Me këtë rast ata shpalosën edhe disa kërkesa që ua kanë drejtuar institucioneve gjegjëse lokale. Thonë se pastrimin mund ta bëjnë vetë, por jo të rregullojnë edhe dritaret e shkollës, tualetet e dyert të cilat rrezikojnë çdo ditë nxënësit. Tefik Nuredini, ish kryetar i Bashkësisë Lokale të fshatit Balindoll thekson se zotimet e bëra duhet të realizohen.

“Unë si kryetar i ish Bashkësisë Lokale kam shkuar disa herë kam kërkuar që t’i jepet përkrahje shërbetorit pasi ai nuk mund gjithçka të bëjë vetë, por pos premtimeve nuk ka pasur mbështetje. Kemi kërkuar edhe për brenda te shkolla pasi çezmet i ka mjerim, dyert e tualeteve nuk bëjnë, dritaret fryejnë. Na kanë dhënë fjalën, kanë mbajtur shënime, por nuk kanë ardhur të bëjnë asgjë.

Vitin e kaluar e dërguan një mjeshtër për lyerje me ngjyrë, por aty duhet punë të tejra pasi shkolla në brendi i ka muret e dëmtuara e dritaret janë jo të mira e që nxënësit dimrit nuk janë në kushte të mira”, deklaron Tefik Nuredini, banorë i fshatit Balindoll.

Halil Muharemi, banor i fshatit Balindoll kërkon që në shkollën e fshatit të organizohet orë ekologjike me nxënësit e t’u mësohet se si ata duhet të kujdesen për mjedisin.

“Këtu të mbahet orë ekologjike me nxënësit që hedhin mbeturina gjithandej nëpër oborr. Patjetër brenda pesë ditëve të mbajnë dy orë ekologjike për pastrimin e oborrit. Pastaj, shërbetori i shkollës nuk ka asnjë mjet për të punuar këtu, gjithçka si mjete i kemi sjellur ne nga shtëpitë tona. Shërbetori nuk mund të punojë pa mjete. Dhe gjëja tjetër që dua të them është se te ne nuk punohet asgjë, fshatin tonë e kanë lënë në harresë, ne nuk jemi kundër askuj por kërkojmë atë që na takon”, deklaron Halil Muharemi, banorë i fshatit Balindoll.

Banorët kërkojnë që sa më parë të rregullohet edhe rruga e cila ka mbetur hapur për shkak të një gypi të ujësjellësit që është vendosur, të mbushen gropat goditëse në rrugët brenda fshatit dhe të rregullohet ura e cila lidh pjesën qendrore me pjesën e epërme të fshatit .

Nga komuna e Gostivarit thonë se e kuptojnë revoltën e banorëve dhe lusin për durm. Thonë se rruga e hapur ku është vendosur gypi i ri i ujësjellësit me kapacitet më të madh për ujë për pije, për pjesën e sipërme të fshatit, do të mbulohet me fillimin e javës së ardhshme, pasi punimet sapo kanë përfunduar dhe do të ketë investime edhe te shkolla siç ka patur deri më tani. Nga aty kujtojnë se në fshatin Balindoll deri më tani kanë investuar në linjën e re të ujësjellësit me gjatësi 2.000 metra, është vendosur kanalizim prej 800 metra, është rregulluar për herë të parë park dhe janë vendosur lojra për fëmijë, ndërsa është ndërtuar edhe stadium multi-funksional për sporte të ndryshme.

Show More

Related Articles

Back to top button