Kryetari i PD, Sali Berisha, është zotuar se me rikthimin e tij në qeveri do të ulet me tre herë çmimi i energjisë elektrike për të gjithë bizneset shqiptare.
Për biznesin e vogël, kryedemokrati tha se do ketë lehtësira shumë të mëdha fiskale dhe se do të hiqen taksat.
“Biznesi i vogël, së pari garantoj se nga 200 lekë që paguan energji, do zbresë aty ku ishte, te 60 lekë. Pra, do të ulet me tre herë çmimi i energjisë. Kjo jo vetëm për biznesin e vogël, por për të gjitha bizneset në Shqipëri. Së dyti, biznesi i vogël do ketë lehtësira shumë të mëdha fiskale. Do hiqet taksa mbi të. Do kalohet për sigurimet shoqërore në nivelin 10 përqind. Mbi të gjitha do mbrohet biznesi i vogël nga peshkaqenët e mëdhenj, oligarkët e qeverisë, që kanë krijuar bizneset e tyre do vrarë qindra e mijëra biznese të vogla. Bizneset e tyre bëjnë evazion dhe vrasin konkurrencën. I bëj thirrje biznesit të vogël të përgatitet për grevë të përgjithshme”,-tha Berisha.