Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka kujtuar 24 vjetorin e masakrës në fshatin Abri e Epërme të Drenasit, ku u masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu.
Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka kujtuar të gjithë emrat që u vranë nga forcat e Serbisë.
“Sot bëhen 24 vjet prej kur më 26 shtator 1998, forcat serbe vranë dhe masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në fshatin Abri e Epërme të Drenasit. Mjafton të shihen moshat kufitare të viktimave të masakrës së Abrisë, nga më i moshuari Fazli Deliu 94 vjeç deri te më e vogla Diturije Deliu 6 javëshe, për të kuptuar se sa totale dhe çnjerëzore ishte kjo masakër që kryen forcat serbe mbi këta 23 civilë shqiptarë të pafajshëm”, ka shkruar kryeministri.