Luftime të ashpra janë zhvilluar në pjesën jugore dhe perëndimore të Ukrainës, Donetsk fokusi i ruseve
Forcat ukrainase dhe ruse u përfshinë në luftime të ashpra në pjesë të ndryshme të Ukrainës ndërsa referendumet e organizuara nga Rusia në katër rajone që Moska shpreson të aneksojë janë drejt përfundimit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë të ditur se rajoni i Donetskut në lindje mbeti prioriteti kryesor strategjik i vendit të tij dhe Rusisë, me luftimet që përfshinin disa qytete ndërsa trupat ruse përpiqen të avancojnë në jug dhe perëndim.
Përleshje të ashpra janë zhvilluar në rajonin e Kharkivit në verilindje fokusi i një kundërofensivë ukrainase këtë muaj. Forcat ukrainase sulmuan katër ura dhe kalime të tjera lumore për të ndërprerë linjat e furnizimit për forcat ruse në jug. Raketat goditën aeroportin në Ukrainën qendrore, duke shkatërruar infrastrukturën dhe duke e bërë aeroportin të papërdorshëm. Sulme u regjistruan edhe në rajonin e Odesa ku forcat ruse përdorën drone iraniane.
Moska shpreson të aneksojë provincat Kherson, Luhansk, Donetsk dhe Zaporizhzhia, në lindje dhe jug, të cilat përbëjnë rreth 15 për qind të Ukrainës. Asnjë nga provincat nuk është plotësisht nën kontrollin e Moskës dhe luftimet janë zhvilluar përgjatë gjithë vijës së frontit, me forcat ukrainase që raportuan më shumë përparime që kur shpartalluan trupat ruse në Kharkiv, në fillim të këtij muaji.
Mediat ruse kanë njoftuar se referendumet në katër territoret e okupuara të Ukrainës janë të vlefshme, duke pretenduar se pjesëmarrja kishte kaluar tashmë 50%. Agjencia shtetërore ruse Tass raporton se pjesëmarrja në votime ishte 86.89% në Donetsk, 83.61% në Luhansk, në 63.58% në Kherson dhe 66.43% në Zaporizhzhia.
Presidenti rus Vladimir Putin ka planifikuar t’i drejtohet të dy dhomave të parlamentit rus më 30 shtator dhe mund ta përdorë fjalimin për të shpallur zyrtarisht pranimin e territoreve të okupuara ruse të Ukrainës në Rusi.
Fluturimet jashtë Rusisë janë rritur dhe makinat kanë bllokuar pikat e kontrollit kufitar. Në kufirin e vetëm rrugor për në Gjeorgji, autoritetet kanë lejuar qytetarët rusë të hyjnë pa vizë. Më shumë financime amerikane kundrejt Ukrainës do të miratohen gjatë ditëve në vijim pasi negociatorët në Kongres kanë rënë dakord të japin 12 miliardë dollarë ndihmë të re ushtarake dhe ekonomike.
Klan News