Sot në Shkup gjatë një platforme shkëmbimi dhe panel diskutimi të nivelit të lartë u prezantua studimi “Migracioni i fuqisë punëtore në Ballkanin Perëndimor: Modelet e hartëzimit, adresimi i sfidave dhe korrja e përfitimeve” i mbështetur nga Zvicra dhe Austria dhe i përgatitur nga Organizata Ekonomike për Zhvillim dhe Bashkëpunim, njofton Portalb.mk.
Politikëbërës dhe opinionisë, përfaqësues të sektorit privat dhe ekspertë u bashkuan për të kuptuar më mirë tendencat, modelet dhe pasojat e migracionit të fuqisë punëtore dhe gjetjen e shtigjeve për zhvillimin socio-ekonomik të Maqedonisë së Veriut.
Zëvendëskryeministri i ngarkuar me Çështjet Ekonomike, Fatmir Bytyqi, së bashku me ambasadoren e Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, Véronique Hulmann, ambasadorin e Austrisë në Maqedoninë e Veriut, Georg Woutsas, dhe Anita Richter, ushtruese e detyrës së shefes së Divizionit të Evropës Juglindore të OECD-së, hapën konferencën duke theksuar se tendenca kryesore në pasojat e migracionit të punës të Maqedonisë së Veriut është mospërputhja midis kërkesës së tregut të punës në Maqedoninë e Veriut dhe mungesa e perspektivave për të rinjtë.