Komuna e Gostivarit reagon ashpër ndaj vonesës së furnizimit me libra nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Është e paarsyeshme që nxënësit të përballen me mungesë të librave, kërkojmë nga ministria që sa më shpejtë të marrë masa konkrete.
Komuna e Gostivarit do të reagojë edhe zyrtarisht dhe do ta njoftojë për gjendjen mbi mungesën e librave në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës si institucion kompetent për çështjen në fjalë. Komuna e Gostivarit nga të dhënat zyrtare të siguruara në 10 shkolla fillore dhe katër shkolla të mesme, ka konstatuar se në këto shkolla ka mungesë gjithsej 25.156 libra për të gjitha lëmitë mësimore, ndërsa mungesa e librave është e shprehur te të gjitha paralelet etnike, si ato shqiptare, maqedonase dhe turke.
Sipas të dhënave, shkolla fillore “Ismail Qemali”, si një nga shkollat fillore me numër më të madh të nxënësve, është një nga shkollat e cila ka mungesë më të theksuar të teksteve shkollore krahasuar me shkollat tjera fillore në nivel komunal. Mungesë të librave ka edhe te shkollat e mesme komunale.
Shkolla e mesme Teknike Komunale përballet me një mungesë prej 5.825 librave nga viti i parë deri vitin e katërt. Në shkollën e mesme komunale të mjekësisë ka mungesë prej 8.985 librash, ndërsa 943 libra mungojnë në shkollën e mesme komunale ekonomik.
Ky është viti i tretë që komuna reagon ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për mungesën e teksteve shkollore dhe nuk janë ndërmarrë masa konkrete. Shpresojmë se ministria do të reagojë për shkak nga kjo neglizhencë më së shumti humbin nxënësit.