Gjigandi australian i telekomunikacionit Optus zbuloi disa ditë më parë se rreth 10 milionë personave apo gati gjysmës së popullsisë së vendit, u ishin vjedhur të dhënat përmes një sulmi kibernetik.
Disa ekspertë e përshkruan këtë si ngjarjen më të rëndë të kësaj natyre në të gjithë historinë e Australisë. Por së fundi ka pasur zhvillime akoma edhe më dramatike – duke përfshirë këtu shantazhin me qëllim përfitimin e një shpërblimi, dhe retorikat e tensionuara publike.
I gjithë skandali ka bërë të ndizet një debat i ashpër mbi mënyrën sesi autoritetet australiane trajtojnë të dhënat e qytetarëve dhe privatësinë. Optus e bëri publike shkeljen 24 orë pasi vuri re një aktivitet të dyshimtë në rrjetin e saj.