Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka siguruar ukrainasit se “gjithçka do të jetë Ukrainë”, në një deklaratë të postuar përpara se presidenti rus, Vladimir Putin të fillonte fjalimin e tij në Moskë, gjatë të cilit i shpalli territore ruse katër rajone të Ukrainës.
“Ne e kemi situatën nën kontroll”, ka thënë Zelensky në Telegram në përfundim të një takimi me zyrtarët më të lartë ushtarakë dhe të sigurisë të Ukrainës, raportoi CNN-i të premten.
“Gjithçka do të jetë Ukrainë”, ka shtuar ai.
Zelensky tha se zyrtarët dëgjuan raporte nga vija e frontit, “konsideruan planin e mëtejshëm për çlirimin e territoreve tona”, analizuan “veprimet e mundshme të armikut në të ardhmen e afërt” dhe diskutuan logjistikën e sigurimit të trupave me armë dhe municione
Ndërsa Putin po fliste në Kremlin, Andriy Yermak, kreu i zyrës së presidentit Zelensky, postoi një koment të shkurtër në Telegram, duke thënë:
“Ne vazhdojmë të punojmë dhe të çlirojmë territoret ukrainase. Ne nuk u kushtojmë vëmendje atyre që duhet të marrin pilula. Ushtria po punon, Ukraina është e bashkuar. Vetëm përpara”.