Në negociatat për furnizimin me gaz, që po zhvillohen aktualisht me Serbinë, nuk po flasim për shit-blerje, por për shkëmbim, thotë ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në emisionin “360 Gradë”.
Sipas tij qëllimi përfundimtar është ngrohja dhe rryma më e lirë.
“Nuk po flasim për blerje apo shitje këtu, po flasim për shkëmbim. Ne si shtet kemi interes që të kemi gaz natyror me çmim më të ulët sepse do të kemi një çmim më të ulët si për energjinë termike ashtu edhe për energjinë elektrike që do të mund t’ua ofrojmë qytetarëve. Një pjesë do t’ia ofrojmë Serbisë, një pjesë do ta përdorim për nevojat tona”, tha Bekteshi.
Bëhet fjalë për një proces në të cilin Serbia do të dërgonte gaz në TETO, aty do të prodhohet energji termike dhe energji elektrike dhe Maqedonia do t’i kthejë Serbisë energjinë elektrike./Alsat/