Ndërsa lufta mes Rusisë dhe Ukrainës vazhdon, ekspertët dhe mediat po bëjnë parashikime për lëvizjet e të dyja palëve në ditët në vijim. Dyshimi më i fortë vjen nga ushtria angleze, e cila ka qenë pararojë sa i përket informacioneve të mbledhura nga fushëbeteja në Ukrainë.
Admirali Sir Tony Radakin ka bërë parashikime të forta sa i përket mundësisë që Putini të sulmojë edhe satelitët e NATO-s gjatë ditëve apo javëve në vazhdim krahas sabotimit të gazsjellësit Nord Stream 1 dhe 2.
Rusia sipas tij mund të godasë satelitët duke e transferuar luftën në hapësirë krahas tokës dhe detit, siç është ndodhur deri më tani.
“Rusia ka aftësi bërthamore, Rusia ka aftësi për luftë nënujore. Dhe ata kanë aftësi edhe në hapësirë,” tha komandanti britanik. “Ne pamë një shembull të kësaj në fund të vitit të kaluar, kur Rusia shpërtheu një objekt në hapësirë që krijoi një sasi të madhe mbetjesh kozmike”, vijoi ai.
Nëntorin e kaluar, Rusia testoi një raketë që rrëzoi një nga satelitët e saj kur ishte rreth 300 milje mbi tokë. Moska u akuzua gjithashtu nga Britania e Madhe dhe SHBA për lëshimin e një rakete të ngjashme me armë në hapësirë në vitin 2020.
Prof. Malcolm Chalmers, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara tha se ndikimi do të ndihej “në mbarë botën” nëse Rusia shkatërronte satelitët.
“Rusia mund të sulmojë gjithashtu sistemet kyçe GPS në mbarë botën, si ushtarakë ashtu edhe civilë,” tha Chalmers, duke vënë në dukje se mund të ketë disa ndërprerje në shërbimet civile, siç janë sistemet e navigimit satelitor të përdorura në shumicën e telefonave dhe makinave tona. /abcnews.al