BotaLajme

1 Tetori – Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve

Më 14 dhjetor të vitit 1990, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) e caktoi 1 Tetorin si Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve (Rezoluta 45/106). Kjo u parapri nga nisma si Plani Ndërkombëtar Vienez i Veprimit për Plakjen, i cili u miratua nga Asambleja Botërore për Plakjen në vitin 1982 dhe u miratua më vonë po atë vit nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Në vitin 1991, Asambleja e Përgjithshme miratoi Parimet e Kombeve të Bashkuara për të moshuarit (rezoluta 46/91). Në vitin 2002 Asambleja e Dytë Botërore për Plakjen miratoi Planin Ndërkombëtar të Madridit të Veprimit për Plakjen për të adresuar mundësitë dhe sfidat e plakjes së popullsisë në shekullin XXI dhe për të promovuar zhvillimin e një shoqërie për të gjitha moshat. Në dekadat e fundit përbërja e popullsisë së botës ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Në periudhën nga viti 1950 deri në vitin 2010, jetëgjatësia në mbarë botën është rritur nga 46 në 68 vjet. Në nivel global në vitin 2019 kishte 703 milionë njerëz në moshë mbi 65 vjeç. Rajoni i Azisë Lindore dhe Juglindore ishte vendi me numrin më të madh të të moshuarve me 261 milionë, e ndjekur nga Evropa dhe Amerika e Veriut me mbi 200 milionë.

Gjatë dekadave të ardhshme, parashikohet që numri i të moshuarve në mbarë botën të dyfishohet, duke arritur kështu në më shumë se 1.5 miliardë njerëz deri në vitin 2050. Në periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2050 të gjitha rajonet e botës do të përballen me një rritje të popullatës së moshuar.

Në vitin 2020, numri i njerëzve të moshës 60 vjeç e më shumë tejkaloi numrin e fëmijëve nën 5 vjeç.

Këtë vit Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve shënohet me temën: “Qëndrueshmëria dhe kontributi i grave të moshuara”.

Pandemia e COVID-19 i përkeqësoi pabarazitë ekzistuese, dhe këto tre vitet e fundit i intensifikoi ndryshimet socio-ekonomike, mjedisore, shëndetësore dhe klimatike duke pasur kështu një ndikim të madh në jetën e të moshuarve, veçanërisht grave të moshuara që përbëjnë shumicën e popullsisë së moshuar.

Kombinimi mes diskriminimit të moshës dhe gjinisë ndërton pabarazi të reja dhe ekzistuese, duke përfshirë stereotipet negative të ndërlikuara nga mosha dhe seksizmi.

Tema e Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve këtë vit shërben si një simbol përkujtimi për rolin e rëndësishëm të grave të moshuara në tejkalimin e sfidave globale dhe në kontributin e tyre për zgjidhje me qëndrueshmëri dhe këmbëngulje. Njohja e kontributit të grave të moshuara dhe përfshirja e zërave, perspektivave dhe nevojave të tyre janë implikimet kryesore të politikave për përmirësimin e përgjigjes gjithëpërfshirëse ndaj sfidave dhe fatkeqësive lokale, kombëtare dhe globale. Kjo ditë është një thirrje për veprim dhe një mundësi për të treguar dhe dëshmuar kontributin e tyre në shoqëri, duke promovuar dialogun politik për përmirësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të moshuarit dhe njohjen e kontributit të tyre për zhvillim të qëndrueshëm.

Shëndeti dhe mirëqenia përcaktohen jo vetëm nga gjenet dhe karakteristikat tona personale, por edhe nga mjedisi fizik dhe social në të cilin jetojmë. Mjedisi luan një rol të rëndësishëm në përcaktimin e kapaciteteve fizike dhe mendore gjatë gjithë jetës së një personi deri në pleqëri dhe gjithashtu se sa mirë përshtatemi me humbjen e funksionit dhe fatkeqësitë e tjera të papritura që mund të përjetohen në faza të ndryshme të jetës e sidomos në vitet e pleqërisë. Të moshuarit dhe mjediset ku ata jetojnë janë të larmishëm, dinamikë dhe të ndryshueshëm. Duke ndërvepruar me njëri-tjetrin, ata kanë potencial të jashtëzakonshëm për të mundësuar ose kufizuar plakjen e shëndetshme.

SIpas ISHP-së ne Maqedoni sëmundjet e rënda dhe shkalla e vdekshmërisë tek të moshuarit mund të rritet nëse sistemet e mbrojtjes shëndetësore dhe sociale janë të brishta. Përpjekjet mbrojtjen e të moshuarve nuk duhet të anashkalojnë shumëllojshmërinë e të moshuarve, elasticitetin dhe shpirtin e tyre pozitiv, dhe rolet e shumta që ata luajnë në shoqëri, duke i përfshirë si kujdestarë, vullnetarë dhe udhëheqës. Është shumë e rëndësishme të njihet kontributi i tyre, në krizën aktuale, duke i përfshirë si profesionistë shëndetësorë dhe ofrues të kujdesit.

Për plakje të shëndetshme nga ISHP rekomandojnë:

-Përforcimi i kapaciteteve shëndetësore;

-Informim më i mirë i të moshuarve për format e mbrojtjes të dedikuara për të moshuarit;

-Përafrimi i formave dhe shërbimeve tashmë të zhvilluara për mbrojtjen sociale dhe shëndetësore të të moshuarve me mjedisin ku ata jetojnë (qendrat ditore, qendrat e asistencës në kushte shtëpie) dhe burimet lehtësisht të aksesueshme për plotësimin e nevojave ditore;

-Nevoja e vazhdueshme për promovim dhe edukim të vazhdueshëm të stileve të shëndetshme të jetesës me theks të veçantë tek aktiviteti fizik i shoqëruar me një dietë të shëndetshme dhe të moderuar;

-Kushtojini kohë të afërmve tuaj të moshuar se edhe “vetmia mund të kthehet në sëmundje”, pa stereotipe dhe diskriminim.

Show More

Related Articles

Back to top button