BotaLajme

Rusia rrit presionin në Severodonjeck

Forcat ruse kanë intensifikuar ofensivën e tyre për të marrë kontrollin e rajonit lindor të Ukrainës, Donbas, dhe kanë bombarduar qytetin e Harkivit duke lënë të vdekur nëntë njerëz dhe duke plagosur 19 të tjerë, kanë thënë zyrtarët ushtarakë të Ukrainës më 27 maj.

Kievi ka paralajmëruar se situata në lindje të shtetit është më e keqe sesa besohet në publik.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Moskën se po kryen “gjenocid” në lindje të shtetit, ku rusët kanë avancuar në dy qytetet kyçe, Severodonjeck dhe Lisiçansk, si dhe i ka bërë thirrje Perëndimit “të mos luajë” me Rusinë dhe të ndihmojë në përfundim të luftës.

Në adresimin e tij në orët e vona të së enjtes, Zelensky ka dënuar sulmet brutale të Moskës në dy qytetet e Donbasit, duke shtuar se bombardimet mund të lënë të gjithë rajonin “të pabanueshëm”.

“E gjithë kjo, përfshirë dëbimin e njerëzve tanë dhe vrasjet masive të civilëve, janë politikë e qartë e gjenocidit të kryer nga Rusia”, ka thënë Zelensky.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka thënë më 26 maj se situata ushtarake në lindje të Ukrainës është edhe më e rëndë sesa e mendojnë njerëzit.

Kuleba ka thënë se Ukrainës i duhen armë të rënda për të luftuar në mënyrë efikase Rusinë dhe ka thënë se bisedimet për paqe me Rusinë nuk janë duke u zhvilluar.

Në përditësimin e saj të fundit, Ministria britanike e Mbrojtjes, ka thënë se ndonëse forcat tokësore të Rusisë vazhdojnë të rrisin presionin në Severodonjeck, Ukraina vazhdon të ketë kontrollin e shumë rajoneve, duke mohuar pretendimin e Moskës se kontrollon gjithë Donbasin.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar më 24 shkurt, atë që e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur me sanksione të ashpra ndaj Rusisë, duke shënjestruar ekonominë e shtetit dhe oligarkët rusë.

Show More

Related Articles

Back to top button