Austria, Finlanda, Franca, Holanda, Spanja dhe Rumania i kanë kërkuar Komisionit Europian që ta ngrejë lart në axhendë propozimin e tyre për organizimin e mbrojtjes kibernetike, duke përcaktuar dhe rekomandimet e tyre në pesë fusha prioritare.
Një Non-paper, i siguruar nga EURACTIV dëshmon synimet për një reformisim të mbrojtjes së bllokut nga sulmet e kësaj natyre.
Nisma është pjesë e një pakete më të gjerë sigurie të planifikuar të diskutohet në 9 nëntor, që do të përfshijë gjithashtu një plan veprimi mbi lëvizshmërinë ushtarake dhe një program europian të mbrojtjes, siç përcaktohet nga strategjia e re ushtarake e BE-së, Busulla Strategjike.-Strategic Compass.
“Duhet theksuar në mënyrë të veçantë roli që ka mbrojtja kibernetike brenda arkitekturës më të gjerë të sigurisë dhe ushtarake të BE-së”, shkruan gjashtë vendet anëtare.
Sipas tyre, pikënisja duhet të jetë një organizim i përbashkët të mbrojtjes kibernetike të BE-së, i cili nuk mund të kufizohet vetëm në mbrojtjen e rrjeteve të komunikimit ushtarak.
Ata propozojnë identifikimin e fushave ku duhet të rritet bashkëpunimi ushtarak dhe civil në lidhje me investimet, ndërtimin e kapaciteteve dhe koordinimin në rast goditjeje.
Përveç kësaj, “BE-ja dhe shtetet e saj anëtare duhet të sqarojnë se kush mbron pjesë të caktuara të hapësirës kibernetike europiane si dhe rolet dhe përgjegjësitë e secilit aktor”.
Non-paper thekson nevojën për të përditësuar objektivat e bllokut për mbrojtjen kibernetike dhe për të krijuar një udhërrëfyes konkret që të mbështesë zbatimin e tyre, ndërsa kërkon gjithashtu gjetjen e mënyrave që shtetet anëtare më të avancuara në fushën kibernetike, të ndajnë me të tjerët eksperiencën e tyre dhe planet organizative.