LajmeRajon

Rama: Gati mjediset fizike për çeljen e qendrës së nanoteknologjisë, NanoAlb në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “mbështetja jonë për njësinë e re të Nanoteknologjisë në Shqipëri është e padiskutueshme dhe kam dëshirë e besim që kongresin e tretë ta kemi në Tiranë me rezultatin konkret dhe me realitetin konkret të njësisë, e cila brenda një viti do të jetë plotësisht e ngritur”.

Në fjalën e tij në Konferencën Ndërkombëtare të Trendeve në Nanoteknologji tha se “projekti që nuk keni arritur dot ta fitoni prej 20 milionë euro do të mund të fitohet bazuar edhe në faktin që ka njësi këtu që është operative dhe për momentin të jemi të kënaqur me shumën prej 1 milion e ca euro që keni fituar nga BE”.

Kryeministri Rama tha se “besoj fort që sot në këtë kongres të dytë ndërkombëtar në Tiranë është një angazhim konkret, i konkretizuar me 26 grupe që punojnë nga vende të ndryshme dhe që na japin mundësinë për ta parë plotësisht të realizueshëm hapin tjetër, hapin e çeljes së një qendre të Nanoteknologjisë, hapin e futjes së NanoAlb-it në një mjedis fizik pune siç ia kam premtuar profesorit, e kemi gati dhe me shumë kënaqësi do t’iu shoqërojmë për ta këqyrur dhe për të zgjedhur së bashku sasinë e mjedisit të nevojshëm për ta filluar këtë proces”.

“Është një proces që nuk do të kishte ndodhur pa lidershipin e ri të Akademisë së Shkencave nga prof Skënder Gjinushi, i cili si në moshë të re e më pak të re i ra barra të jetë gjithmonë tubulluesi i ujërave të ndenjura dhe faktikisht ASH nga një hapësirë përshpirtjeje ku më shumë e mbanin në këmbë të vdekurit se të gjallët është kthyer në një pikë referimi që dalëngadalë po çel dyer që dukeshin krejtësisht të pamundura në botën në të cilën akademia ishte kyçur”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “jam i inkurajuar dhe entuziazmuar sot këtu në këtë kongres ku asnjë i pranishëm nuk është një delegat që nuk e di se për çfarë ka ardhur, por përfaqësojnë një përpjekje të përbashkët në një drejtim ku vendi ynë ka më shumë se në çdo drejtim tjetër për të bërë”.

“Ministrja Kushi solli një shembull që dua ta përsëris hyrjen e Universitetit të Tiranës në një frymë të re me një vetëdije të re për domosdoshmërinë e aksesimit të fondeve europiane me projekt të financueshme dhe kuptimplota që forcojnë jo vetëm bazën financiare të kërkimit shkencor, por edhe besimin se ne jo vetëm s’jemi ndryshe nga të tjerët në aspektin negativ, por mund të bëjmë shumë në aspektin pozitiv. Katërfishimi i fondeve europiane për kërkimin shkencor në universitet dhe përfshirja e 10 fishit nga afro 40 person në më shumë se 400 persona të stafit universitar në aksesimin e këtyre fondeve në harkun kohor të vetëm dy viteve falë lidershipit të Universitetit të Tiranës është jashtëzakonisht domethënëse inkurajuese dhe kuptimplotë dhe për të dhënë një mesazh për vajza e djem që kur mbarojnë me rezultate të larta shkollën e mesme idenë e parë që kanë, kanë idenë që të largohen për të vazhduar studimet në universitet evropiane”, nënvizoi Rama.

Rama u shpreh se është ide legjitime dhe një e drejtë legjitime për të synuar universitetet më prestigjioze europiane mbi bazën e rezultateve të shkëlqyera këtu në shkollën e mesme.

“Është fakt që shqiptarët vajzat e djemtë që mbarojnë të mesmen në Shqipëri shkëlqejnë në universitetet më prestigjioze dhe është fat që mesatarja e rezultatet e tyre në universitetet evropiane është në mesataren më të lartë të studenteve të huaj në ato universitete ç’ka tregon se baza në arsimim është fuqizuar dhe përmirësuar, por nga ana tjetër na vë përpara përgjegjësisë që të fuqizojmë dhe përmirësojmë universitetin”.

“Në këtë aspekt kemi shumë drejtime që po punojmë dhe duhet të rrisim kapacitetet dhe rezultatet dhe patjetër edhe njësia e re e Nanotekonologjisë do t’i shërbejë fuqizimit të këtij besimi dhe rritjes së këtyre rezultateve”, tha Rama.

Konferenca Ndërkombëtare e Tendencave në Nanoteknologji është një ngjarje e shënuar në kalendarin e Nanoshkencës shqiptare, sepse forcon më shumë bashkëpunimin mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe fondacionit “Phantoms” në Spanjë, si një nga aktorët kyç në nxitjen e ndërveprimit në këtë terren.

Kjo përfshirje aktive e ekspozon shkencën shqiptare ndaj sistemeve më novatore europiane e botërore dhe përmes këtyre eventeve shkencore me peshë./atsh/

Show More

Related Articles

Back to top button