LajmeMaqedoni

Sofja do të mbajë Këshill të jashtëzakonshëm të koalicionit për Maqedoninë e Veriut

Me kërkesë të kryeministrit bullgar Kiril Petkov, sonte në Sofje do të mbahet Këshilli i jashtëzakonshëm i Koalicionit, në të cilin katër partnerët në qeveri do të diskutojnë për marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut. Në takim pritet të diskutohen kërkesat e Bullgarisë Demokratike (DB) dhe Partisë Socialiste Bullgare (BSP) për paraqitjen e një programi qeverisës në Kabinet, me masa dhe afate të përcaktuara qartë për zbatimin e tyre, por tema kryesore do të jetë RMV.

Siç informojnë mediat fqinje, kryeministri Petkov pritet t’u shpjegojë partnerëve të tij se përse ka kërkuar nga presidenti Rumen Radev që të mbledhë Këshillin Konsultativ për Siguri Kombëtare (KKSK) dhe të prezantojë atë që është arritur deri më tani në dialogun me Shkupin, shkruan DW.

Petkov njoftoi se do të kërkojë thirrjen e një takimi të partnerëve të koalicionit gjatë një vizite në Romë dhe Vatikan në 24 maj, duke shpjeguar se pse edhe presidenti duhet të takohet me të gjitha partitë e përfaqësuara në parlament.

“Formati i këshillit të koalicionit është shumë i rëndësishëm. Do të flasim me partnerët e koalicionit, por duhet një konsensus më i gjerë për këtë dhe opozita duhet të informohet”, tha Petkov.

Një pjesë e partnerëve të tij të koalicionit konsiderojnë se nuk ka nevojë të mblidhet Këshilli Konsultativ i Sigurisë Kombëtare, pasi asgjë nuk ka ndryshuar nga seanca e kaluar, gjegjësisht – nuk ka përparim në bisedimet me RMV-në. I tillë është qëndrimi i partisë në pushtet, Ka një popull të tillë (ETN). Deputeti i saj Stanislav Balabanov shpjegoi se nuk ka nevojë për mbledhje të Këshillit Konsultativ të Sigurisë Kombëtare, sepse “çdo gjë është shumë e qartë për temën e Maqedonisë”.

“Vetë Maqedonia po e intensifikon negativitetin dhe po e komplikon çështjen e heqjes së vetos. Shpresoj shumë që kryeministri nuk do të marrë ndonjë vendim të pavarur për çështjen e Maqedonisë, por në parim është e mundur që kjo të ndodhë dhe kjo do të hedhë në erë jo vetëm koalicionin, por edhe shoqërinë”, tha Balabanov.

Dhe në prag të Këshillit të Koalicionit të sontëm, ai përsëriti qëndrimin kategorik partiak – se nuk dalin nga qëndrimi i vendosur i Bullgarisë.

“Ne do t’i dëgjojmë (partnerët) pse takohen në një situatë kur qëndrimi është i qartë – si për Këshillin Konsultativ Presidencial, ashtu edhe për qëndrimin Kornizë të Bullgarisë dhe për Deklaratën e Asamblesë Kombëtare të 44-të, kështu që ndoshta do të njoftohem me diçka të re që nuk e di. Do të shohim se çfarë do të thonë ata. Por qëndrimi ynë është i qartë”, tha deputeti i ITN-së.

Ai i vlerësoi si spekulime pretendimet se ITN do të largohet nga koalicioni sot, por theksoi se është e papranueshme të injorohet interesi kombëtar bullgar në RMV-së, që për ITN është “vijë e kuqe”.

Pozicion toksik

Nga ana tjetër, pas bisedimeve të shumta të autoriteteve bullgare me partnerët e BE-së, por edhe me zyrtarë të lartë amerikanë, publiku i kualifikuar politikisht në Bullgari është i vetëdijshëm se nga Sofja në këtë moment pritet shumë më tepër: të kuptojë pozicionin e saj në kontekstin më të gjerë të aleancës së saj, jo vetëm në kontekstin e asaj që ajo i konsideron interesat e saj kombëtare. Për më tepër, nën petkun e “mbrojtjes së interesave kombëtare” mund të maskohen pikërisht interesat e njerëzve të tjerë që përfitojnë nga minimi i mundësisë së zgjidhjes mes Shkupit dhe Sofjes, pjesërisht edhe për arsye të ngushta partiake-populiste.

“Shumë qytetarë bullgarë dhe shtetas bullgarë të ‘infektuar’ nga vetoja dhe “pozicioni” rreshtohen në anën e egërsisë ruse. Dhe ky është tashmë një rrezik për sigurinë kombëtare”, tha në një kolumnë të ditëve të fundit në “Dnevnik” politologu bullgar Evgenij Dajnov. Ai paralajmëroi se helmi i vetos vazhdon të përhapet në të gjithë shoqërinë bullgare.

“Sipas “pozitës kornizë”, bullgarët kërkojnë nga maqedonasit që të ndryshojnë emrat e disa qindra rrugëve; të heqin disa pllaka përkujtimore, të pranojnë se kanë qen bullgarë deri në vitin 1944 kur maqedonasit krijuan komunistët jugosllavë; të kryejnë lustracionin (që vetë Bullgaria nuk e ka kryer), ndërsa aty ku në dokumente të shkruara përmendet ‘gjuha maqedonase’ të shpjegohet se është dialekt i gjuhës bullgare. Nuk ka asnjë vend në botë që do të pranojë zyrtarisht se nuk ka njerëz në territorin e tij, se nuk ka histori dhe madje as gjuhë. Nuk ka një shtet të tillë, sepse nuk mund të ketë. Rrjedhimisht, nuk ka asnjë shans që shteti i Maqedonisë së Veriut ndonjëherë t’i nënshtrohet “pozitës kornizë” bullgare”, tha Dajnov.

Ai ka një mesazh decid: “Për të shpëtuar shpirtrat tanë, duhet të gjejmë mënyrë për të thyer këtë veto të çmendur”, shkruan Dainov, duke kritikuar se disa politikanë bullgarë janë histerikë për situatën për të mbledhur vota, ndërsa të tjerë – të mos zgjohen me turma të zemëruara nën dritaret e tyre.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Show More

Related Articles

Back to top button