LajmeMaqedoni

Emigrimi masiv i rinisë, plagë edhe për Maqedoninë e Veriut!

Mungesa e perspektivës, pagat e ulëta dhe kushtet jo të mira për punë, janë arsyet kryesore që shumë njerëz po ikin nga Maqedonia e Veriut. Kështu thonë për Radion Evropa e Lirë disa qytetarë të anketuar, duke komentuar të dhënat e institucioneve se nga Maqedonia e Veriut gjatë nëntë vjetëve janë larguar rreth 700.000 banorë.

Nikolla Petrevski, me profesion kuzhinier, thotë se para një viti është larguar nga Ohri për në Kroaci ku kushtet për punë janë shumë më të mira se në Maqedoninë e Veriut.

“Kushtet për punë këtu janë shumë më të mira se në Maqedoni [të Veriut]. Punojmë më shumë se dhjetë orë në ditë, por kushtet vërtet janë të mira, sikur edhe të ardhurat. Kuzhinierët këtu paguhen deri në 3.000 euro në muaj për 12 orë punë në ditë. Në Ohër punoja thuajse njëjtë, ndërsa paguhesha as çerekun e asaj që marr këtu. Problemi nuk qëndron te mungesa e punonjësve të kualifikuar, por te kushtet për punë dhe pagesat”, thotë Petrevski.

Sipas tij, vetëm në Kroaci janë punësuar rreth 40 kuzhinierë, ndërsa ka edhe shumë të tjerë që janë punësuar në sektorë të ndryshëm, ku të ardhurat dhe kushtet e punës janë më të mira se në Maqedoninë e Veriut.

Por, ka edhe shumë të tjerë që mendojnë të largohen nga ky vend. Arsim Neziri ka kryer Shkollën e Mesme Teknike, drejtimi i Makinerisë, por thotë se nuk ka mundur të gjejë një vend pune. Për të hapur ndonjë punëtori private ai thotë se nuk ka mundësi financiare, andaj synimi i tij është largimi nga Maqedonia e Veriut.

“Arsyet kanë të bëjnë me mungesën e perspektivës këtu, papunësinë, shtrenjtimet si pasojë e krizës e gjëra të tjera. Një profesor këtu merr pagë sa një punonjës në sektorin e gastronomisë, një kamerier”, thotë Neziri.

Ismet Selmani, punonjës taksie, thotë se kuadro ka pothuajse për të gjitha profilet, por ata nuk vlerësohen dhe nuk paguhen sa duhet, andaj edhe ikin në kërkim të një jete më të mirë.

“Këtu gjendja është vërtet katastrofale. Gjithçka është shtrenjtuar dhe njerëzit vuajnë për kafshatën e gojës. Mezi arrijmë të mbijetojmë, por ka të tjerë që as bukën nuk arrijnë ta sigurojnë”, thotë Selmani.

Zëvendëskryeministri për çështje Ekonomike, Fatmir Bytyçi, ditë më parë tha se në Agjencinë e Punësimit, përqindja e të papunëve është ende e lartë, por, sipas tij, mbi 93 për qind e të papunëve janë analfabetë funksionalë, apo se aftësitë e tyre nuk përputhen me tregun e punës.

“Mendoj se ka ardhur koha që të gjithë të kuptojmë se duhet të ndryshojmë dhe të jemi palë aktive në tregun e punës, të gjithë mundemi dhe duhet të kontribuojnë sa më shumë, dhe kjo do të thotë rikualifikim dhe ndryshim i shprehive të punës”, ka deklaruar Bytyçi.

Sipas tij, ka punë, por politikat e gabuara në 30 vjetët e fundit nuk kanë dhënë rezultate, ose kanë prodhuar fuqi punëtore që nuk përputhej me tregun e punës.

Por, Arben Halili, njohës i çështjeve të ekonomisë, thotë se largimi i njerëzve nga Maqedonia e Veriut nuk është vetëm si rezultat i mungesës së vendeve të punës apo analfabetëve funksionalë, siç thonë nga Qeveria, por si rezultat i largimit për një jetë më të mirë, më të dinjitetshme dhe kërkimit të një shteti më funksional, që nuk ndodh në rastin me Maqedoninë e Veriut.

“Nuk është çështje se njerëzit ikin se nuk ka punë në Maqedoni [të Veriut], por është thjesht çështja e pagave të ulëta, mosfunksionimit institucional, mungesës së sigurisë, mosfunksionimit të shtetit ligjor, mungesës së sistemit arsimor sipas nevojave të tregut të punës dhe mbi të gjitha mungesa e trajtimit njerëzor të punëtorëve në vendin e punës. Askush nuk është skllav i askujt dhe nëse një punëtor nuk trajtohet si duhet në vendin e punës, patjetër që do të kërkojë një vend të punës, qoftë edhe jashtë shtetit”, vlerëson Halili.

Ai thotë se nëse nuk ndërmerren masa, në Maqedoninë e Veriut mund të mos mbetet njeri i kualifikuar. Sipas Halilit, ndër masat urgjente që duhet të ndërmarrë shteti është ulja e numrit të të punësuarve në administratë dhe kalimi i tyre në sektorin privat, si dhe reformimi i sistemit shtetëror në të gjitha nivelet.

“Megjithatë se a do të ngelet njeri në Maqedoni të Veriu, varet nga ajo se sa shpejt do të reagojë shteti”, thotë ai.

Show More

Related Articles

Back to top button