Për tre orë e gjysmë po vazhdon takimi i grupit të zjarrit me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti në Tetovë, shkruan Alsat.
Përveç grupit të zjarrit të përfaqësuar nga Izet Mexhiti, Blerim Bexheti, Nevzat Bejta dhe Musa Xhaferi, në takim sot është parë edhe nënkryetari Sadulla Duraku i cili nuk është i nënshkruar në listën e të pakënaqurve, por ndodhet në takim shkaku i pozitës partiake.
Duraku duket në opinion për herë të parë pas daljes së letrës publike, ndërsa veprimi i tij mësohet të jetë në rolin e ndërmjetësuesit për uljen e tensioneve brenda partisë. Gjatë hyrjes në takim, Mexhiti nuk foli shumë për pritjet e tij por tha shkurt se do të bisedojmë si çdo herë.
Ritakimi i grupit zjarrit vjen pesë ditë pas takimit të parë që realizuan në nivel degësh partiake me Ahmetin, të enjten që lamë pas. Derisa Ahmeti kërkon takim brenda partisë, grupi i zjarrit vijon me porositë për zgjerimin e pakënaqësisë.
Ditë më parë ky grup publikoi fotografi me deputetin e pavarur, Kastriot Rexhepi për të cilin u tha se do të veprojë në kuadër të grupit parlamentar të BDI-së.
Nga ana tjetër Lëvizja Besa sot u bë pishman për interpelancën e paralajmëruar kundër zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi me arsyetimin se tani nuk është koha për një veprim të tillë, por do të shqyrtohet si opsion në të ardhmen./ Alsat.mk