LajmeMaqedoni

Do të krijohet Këshilli për Avancimin e Arsimit dhe Shkencë

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në përputhje me kompetencat e saj, bëri analiza gjithëpërfshirëse për gjendjet në veprimtaritë e arsimit fillor, të mesëm dhe të lartë, shkencës, standardit të nxënësve dhe studentëve dhe sigurimin e teksteve shkollore në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në drejtim të ndërtimit të politikave publike dhe transparente në arsim, me mbështetjen e Qeverisë, mori vendim për themelimin e Këshillit për Avancimin e Arsimit dhe Shkencës.

“Me propozim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Qeveria sot miratoi informatën për nevojën e themelimit të Këshillit, përmes të cilit do të mundësohet përmirësimi i cilësisë së arsimit dhe shkencës, optimizimi në arsim, forcimi i evaluimit dhe vlerësimit në reformimin e kurrikulave me fokus më të madh në rezultatet e të nxënit, orientimin më të mirë të programeve të arsimit dhe formimit profesional ndaj nevojave të tregut të punës, si dhe programeve në arsimin e lartë për të pasqyruar nevojat e tregut të punës”, bëhet e ditur në kumtesën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH).

Punën e Këshillit do ta kryesojë kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, ndërsa anëtarë do të jetë ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, zëvendëskryetari i parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Artan Grubi, zëvendëskryetari për çështje ekonomike Fatmir Bytiqi dhe ministri i Financave Fatmir Besimi, koordinatori i departamenteve ekonomike dhe investimeve si dhe Shërbimi Pedagogjik si organ i administratës shtetërore në kuadër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

MASH, si një institucion transparent dhe përgjegjës që krijon mundësi pjesëmarrjeje në krijimin e politikave nga të gjithë aktorët, do të përfshijë përfaqësues nga partnerët strategjikë të Ministrisë.

“Në aktivitetet e Këshillit do të marrin pjesë Unioni i nxënësve të shkollave të mesme, Konferenca ndëruniversitare, Këshilli nacional për arsim të lartë dhe kërkim shkencor, Agjencia për cilësi në arsimin e lartë, Bordi për akreditim të arsimit të lartë, Bordi për evaluim për arsim të lartë, kuvendet studentore, Byroja e Zhvillimit të Arsimit, Qendra për Arsim dhe Aftësim Profesional, Qendra Shtetërore e Provimeve, Inspektorati Shtetëror Arsimor dhe Qendra për Arsimin e të Rriturve”, theksojnë nga MASH.

Me këtë vendim, Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të krijojë politika që do të bazohen në informacionin mbi funksionalitetin aktual të sistemit në nivel kombëtar, si dhe në kërkimet ndërkombëtare për faktorët që kontribuojnë në mësimdhënie dhe mësimnxënie efektive.

Show More

Related Articles

Back to top button