BotaLajme

Lavrov paralajmëron Perëndimin për furnizimet me armë

Luftimet në Donbas janë në intensitetin maksimal dhe pritet të përshkallëzohen gjatë ditëve në vazhdim. Mesazhet që vijnë nga Ukraina bëhen gjithmonë e më të zymta sa i përket situtatës në rajonin lindor, ku Moska po zhvillon një ofensivë të gjithanshme.

Siç thuhet, forcat pushtuese po sulmojnë nga ajri dhe toka rajonin e Donetskut, po përpiqen të pushtojnë qytetin e Limanit me armë artilerie, ndërsa bombardojnë pozicionet ukrainase në qytetin e Slovianskut. Severodonetsku, qyteti që është pagëzuar si Mariupoli i ri, është nën bombardime konstante dhe 90% e godinave janë dëmtuar.

Sulmet ajrore goditën edhe qytetin e dytë më të madh në vend, atë të Harkivit, ku humbën jetën 8 persona, përfshirë 1 fëmijë. Në jug të vendit, rusët qëlluan njësi të ushtrisë ukrainase dhe zhvendosën trupa rezerviste për të fuqizuar sulmet. Në një videomesazh gjatë natës, Presidenti Volodymyr Zelensky akuzoi forcat ruse për gjenocid në Donbas dhe se po përpiqen të reduktojnë në hi rajonin lindor. Zelensky kritikoi ndasitë mes Bashkimit Evropian për vendosjen e sanksioneve të tjera kundër Moskës dhe pyeti përse disa vende po lejoheshin të bllokonin planin.

“Sa javë do të duhen që Bashkimi Evropian të dakordësohet për paketën e 6 të sanksioneve? Nga e marrin gjithë këtë fuqi njerëzit që bllokojnë paketën? Pse po lejohen të kenë kaq shumë fuqi?”, u shpreh Zelensky.

Ndërsa Kievi bën thirrje për më shumë armë për t’i rezistuar ofensivës së madhe në lindje, CNN raporton se Presidenti Joe Biden po përgatitet të dërgojë armë më të fuqishme në Ukrainë, përfshrë sisteme raketore me rreze të gjatë, të kërkuara prej kohësh nga Zelensky. Armët mund të godasin shënjestra të largëta dhe mund të shënojnë pikë kthese në luftën në Ukrainë.

Por, nga Rusia vjen një mesazh i prerë dhe i qartë. Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, paralajmëroi Perëndimin se nëse furnizon Ukrainën me armë që mund të arrijnë Rusinë, do të ketë përshkallëzim të papranueshëm. Një grua raportohet të jetë vrarë në një fshat rus, në kufi me Ukrainën, si pasojë e bombardimeve nga trupat e Kievit./A2CNN/

Show More

Related Articles

Back to top button