GostivarLajme

Qepa e Banjicës kalbet në ara, kushtet klimatike përgjysmojnë prodhimin

Qepa e Banjicës kalbet në ara, kushtet klimatike përgjysmojnë prodhimin

Derisa vendi ynë mbetet i varur nga importi i ushqimeve, prodhuesve në fushën e njohur të Banjicës, gjysma e produkteve të kultivuara u ka mbetur në ara. Në zonën më të njohur të prodhimit të qepës në Maqedoni, temepraturat e larta gjatë verës dhe reshjet e shiut së fundmi, kanë dhënë efekt negativ sivjet si në cilësi ashtu edhe në sasi. Kultivuesit e kësaj kulture bujqësore ankohen se nga shteti nuk kanë pasur asnjë ndihmë, ndërkohë që edhe çmimi i plehrave është shumëfishuar.

“Kam nxjerrë 12 ton, duhej mbi 20 ton por për shkak të kushteve klimatike veq aq prodhim kemi marrë këtë vit”, deklaron Xhezair Bajrami, bujk nga Banjica e Poshtme.

Bajrami hotë se në sipërfaqe të njejtë prej katër hektarësh krahasuar me vitin e kaluar, prodhimi i është përgjysmuar.

“Shkaku janë kushtet klimatike, tani shiu dhe temperaturat e larta gjatë verës, nëse kemi temperatura mbi 35 gradë, qepa nuk mban”, deklaron më tej Bajrami.

Bujku 59 vjeçar për t’i mbetur ndonjë përfitim, sivjet nuk kishte angazhuar punëtor për mbledhjen e qepës. Punonte vetë me bashkëshorten, por prapë thotë se edhe përskaj mundit, sivjet kanë punuar pa përfitim.

“Aktualisht çmimi në treg është 20 – 25 denarë, nëse e jep me shumicë mes 15 dhe 20 denarëve, aq. Nëse nuk është mbi 30 denarë, nuk ke llogari, pasi sivjet kemi shtrenjtim të madh të plehrave dhe të fuqisë punëtore kështu që sivjet përfitim nuk ka”, thotë më tej Xhezair Bajrami, bujk nga Banjica e Poshtme.

Për shkak të rënies së sasisë, disa bujq kishin vendosur sivjet në vend të qepës të kultivojnë diçka tjetër. Bujkun Naxhi Zendeli, e takuam duke mbledhur fasulen, por thotë se as kjo kulturë bujqësore sivjet nuk është me sasi të mjaftueshme.

“Unë sivjet kam mbjellë qep më pak, arën e kam dy qile, por kam mbjellur pak më shumë se gjysëm qile pasi nuk bëhet. Groshë kam mbjellur më shumë pasi kam ara edhe në Vrapçisht, pasi nga atje e kemi prejardhjne, por edhe grosha pak është. Kjo arë duhet të jep 600 kilogram groshë, ndërsa ka dhënë 150 kilogram”, deklaron bujku Naxhi Zendeli nga Banjica e Poshtme.

Zendeli na sqaron se si lagështia nga shiu e ka dëmtuar qepën. Thotë se nga jashtë duket e mirë, por në brendi ka marrë një ngjyrë të kaftë të erët dhe kjo thekson ai, nuk është për konsum. Shpreson sivjet t’a ketë siguruar mbijetesën nga vjelja e prodhimeve që kishte mbjellur.

“Të nxjerrim diçka për bukë, edhe pse zor. Presim diçka, pasi unë as pension marrë, asgjë”, deklaron Zendeli.

65 vjeçarit i vjen keq ta lë tokën pa punuar, sepse fitim nuk pret.

“Grosha sivjet ka çmim, por kot s’ka bereqet. Kilogramin e jap 300 denarë, 250 denarë groshën jeshile, por edhe ajo shkon me zor, ndërsa ka shumë punë, bashkë me bashkëkëshorten gjatë gjithë ditës do mbledhim 10 kilogram groshë”, thotë më tej bujku Zendeli.

Por, edhe përskaj krizës dhe rritjes të çmimeve të produkteve ushqimore, ai thotë se shteti aspak nuk është interesuar ti ndihmoj ata si prodhues .

“Asgjë, asgjë. Unë prej shtetit nuk kam marrë asgjë, kanë marrë, nuk kam marrë”, deklaron më tej bujku Zendeli.

Bujqit e Banjicës së Poshtme janë të shqetësuar se prodhimi i tyre në ara nësë nuk ndryshon situata, do vazhdojë të kalbet edhe viteve të tjera.

Show More

Related Articles

Back to top button