BotaLajme

Karteli i naftës vendos të ulë prodhimin, pritet rritje e mëtejshme e çmimit

Ashtu siç ishte parashikuar, karteli i vendeve të prodhimit të naftës ka rënë dakord për të ulur në mënyrë drastike prodhimin. Ministrat e energjisë së OPEC miratuan vendimin për të pakësuar prodhimin me 2 milionë fuçi në ditë, duke shtuar frikën për rritje të mëtejshme të çmimit të naftës për konsumatorët. Shkurtimi i prodhimit do të nisë duke filluar nga muaji nëntor.

Ministrat thanë se vendimi ka si qëllim stabilizimin e tregjeve të karburanteve. Por në bursa, çmimet e naftës bruto u rritën menjëherë pas shpalljes së tij.

Duke u mbështetur në disa burime, CNN raporton se adminiastrata Biden bëri disa përpjekje për të ndaluar marrjen e këtij vendimi, që mund të ketë pasoja edhe në zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA. Një burim tha se Shtëpia e Bardhë ishte përfshirë nga paniku.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Ëatson, tha: “Jemi shprehur qartë që prodhimi i energjisë duhet të jetë në përputhje me kërkesën, për të mbështetur rritjen ekonomike globale dhe uljen e çmimeve për konsumatorët në të gjithë botën. Do të vazjhdojmë të flasim me partnerët tanë për këtë”.

OPEC – zyrtarisht Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës është krijuar në 14 shtator 1960 dhe përbëhet momentalisht nga 13 shtete: Algjeria, Angola, Guinea Ekuatoriale, Gaboni, Irani, Iraku, Kuvajti, Libia, Nigeria, Republika e Kongos, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Venezuela. Sipas vlerësimeve, vendet e OPEC kanë 44% të prodhimit botëror të naftës dhe 81,5% të rezervave botërore të saj.

Show More

Related Articles

Back to top button