Ish-mesfushori i Liverpoolit e Real Madridit, Xabi Alonso, është zyrtarizuar si trajner i ri i skuadrës së Bundesligës, Bayer Leverkusen.
Për 40-vjeçarin do të jetë puna e tij e parë si trajner, pasi është kontaktuar për ta zëvendësuar Gerardo Seoanen, i cili u shkarkua pas disfatës 2:0 në Ligën e Kampionëve nga Porto.
Skuadra e Leverkusenit edhe në Bundesligë nuk po kalon formë të mirë.
Pozicionohet në vendin e parafundit me vetëm pesë pikë.
Alonso, i cili fitoi Ligën e Kampionëve me Liverpoolin e Real Madridin dhe ka tre tituj kampioni me Bayern Munichun si lojtar, nënshkroi kontratë deri në qershor të vitit 2024.
Si lojtar ka luajtur në 114 ndeshje me Spanjën, ndërsa është fitues i Botërorit dhe Evropianit. U pensionua nga sporti i futbollit në vitin 2017.