Për herë të parë sektori kyç në Qendrën për Punë dhe Politikë Sociale në Gostivar, ai i shërbimeve profesionale, ka të punësuar shqiptarë. Në total nga 70 të punësuar, kjo qendër rreth 60 përqind të punëtorëve i ka shqiptarë, ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë punësuar nga viti 2018 – të e këndej. Drejtori i këtij institucioni Azbi Shaqiri, thotë se numri nuk mjafton, por punohet që të vihet te niveli i dëshiruar.
“Është e vërtetë se kemi pasur si institucion problem me përfaqësimin e drejtë, mirëpo nga 2018-ta e këndej janë bërë disa ndryshime dhe tani numri i përfaqësimit është i kënaqshëm, nuk është ideal por nuk është edhe si në të kaluarën. Edhe me sistematizimin e të punësuarve me Marrëveshjen e Ohrit, ne si Qendër pranuam të punësuar nga atje dhe tani janë pjesë e kolektivit tonë. Kjo bëri që numri i shqiptarëve në institucionin tonë të rritet dhe ta sjellë në një nivel të kënaqshëm. Deri në 2018-tën në Sektorin e Punëve Profesionale në Qendër nuk ka pasur përfaqësim të shqiptarëve dhe nga 2018-ta kemi të avansuar diku 12 kolegë që janë pjesë e ekipit tonë. Me përqindje numri i shqiptarëve në qendër është diku 60 përqind”, deklaron Azbi Shaqiri, drejtori i QPPS në Gostivar.
Shaqiri thotë se me balancerin, numri i shqiptarëve pranë kësaj qendre patjetër të rritet.
“Nga ardhja ime këtu në Qendër e deri tash këtu kemi të punësuar diku 15 shqipëtarë, normalisht kemi të punësuar edhe prej nacionaliteteve tjera dhe në bazë të balanserit ekzistojnë disa kritere sesi punësohen personat që konkurojnë në punë. Pas balanserit është intervista, përfaqësimi i drejtë, krejt këta janë disa faktorë që ndikojnë në punësimin e një individi që konkurron për punë”, deklaron Azbi Shaqiri, drejtori i QPPS në Gostivar.
Ka pasur një rast keqpërdorimi të balancerit ku është shkruar në të dhëna përkatësi tjetër etnike, por është menaxhuar dhe personi në fjalë nuk është pranuar në punë. Shaqiri nuk jep më tepër detaje në lidhje me rastin.
“Nuk kam informata sepse këtë e bënë Agjencioni për Punësim, ishte në Sektorin e Administratës dhe e dini se në atë sketorë konkurset për punësim i hap Agjencioni për Punësim dhe ata e shqyrtojnë konkursin. Te Sektori për Punë Profesionale dhe te Sektori për Ndihmë Financiare, ato konkrurse i kemi ne si Qendër Sociale dhe për ata të punësuar vendos drejtori i qendrës sociale në bazë të kritereve dhe kushteve të vendosura paraprake me Ligjin për punësim”, deklaron Azbi Shaqiri, drejtori i QPPS në Gostivar.
QPPS në Gostivar ka të punësuar 70 persona, por vazhdon të ketë mungesë kuadri. Te shqiptarët më së shumti mungojnë kuadro me arsim adekuat për çështjet sociale.
“Sidomos në sekorin profesional ku hyjnë dhuna familjare, shkurorëzimet, delikuenca te të miturit dhe të drejtat tjera që shfrytëzohen, punojmë me kuadër të cunguar dhe për atë arsye disa herë kemi kërkuar nga organet kompetente që të na japin pëlqim, disa pëlqime i kemi marrë dhe kemi bërë disa punësime të reja dhe besoj në të ardhmen e afërt do të kemi edhe hapësira të reja që kolektivin tonë ta plotësojmë me mungesën e kuadrit që momenatlisht e kemi”, deklaron Azbi Shaqiri, drejtori i QPPS në Gostivar.
Brenda këtij viti 5 punonjës shqiptarë kanë shkuar në pension dhe ato si pasojë e mungesës së kuadrit nuk ka kush i zëvendëson . Shaqiri u bën apel të rinjve të studiojnë shkencat sociale, pasi punonjësit social mungojnë në të gjitha institucionet. Ndryshe, QPPS në Gostivar funksionon me tre sketorë, atë Administrativ, për Ndihmë Financiare dhe ai Profesional.