BotaLajme

Kriza energjetike, pjesë e diskutimeve të liderëve të BE-së në Pragë

Kryeqyteti çek është nikoqir i një samiti joformal të BE-së që do të mbahet në Kështjellën e Pragës më 7 tetor. Liderët nga 27 shtete anëtare do të diskutojnë për krizën energjetike, teksa kontinenti pritet të përballet me një dimër të vështirë.

Çmimet e gazit dhe të energjisë elektrike janë rritur për shkak të kufizimeve të furnizimit me energji ruse për Evropën. Moska ka thënë se këto kufizime po bëhen si kundërpërgjigje sanksioneve që Perëndimi ka vendosur ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Në BE ka mosmarrëveshje midis shteteve anëtare mbi mënyrën se si të trajtohet kriza me energjinë.

Disa shtete anëtare mbështesin kufizimin e çmimeve të gazit, ndërsa të tjerë, përfshirë Gjermaninë, paralajmërojnë për rreziqe.

Më 5 tetor, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Bashkimi Evropian ‘është i gatshëm të diskutojë’ çmimin tavan në importet e gazit, për të shmangur rritjen e madhe të çmimeve të energjisë.

Çmimi tavan është çmimi maksimal i lejuar ligjërisht në një shtet.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do t’i drejtohet samitit përmes një video-lidhjeje nga Kievi, derisa BE-ja kërkon mënyra për të ruajtur mbështetjen e saj ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën.

Udhëheqësit e 44 shteteve evropiane morën pjesë në samitin inaugurues të Bashkësisë Politike Evropiane, që u mbajt më 6 tetor në Pragë.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron – ideator i krijimit të platformës së Bashkësisë Politike Evropiane – tha se samiti tregon “unitetin” e kontinenti evropian, teksa ai po përballet me pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Ai tha se kjo platformë ka për qëllim të lehtësojë shkëmbimet ndërmjet shteteve të BE-së dhe atyre që janë jashtë bllokut, përfshirë edhe ato që aspirojnë anëtarësimin në BE.

Në këtë samit, ftesë nuk kanë marrë Rusia dhe Bjellorusia.

Show More

Related Articles

Back to top button