BotaLajme

“Mund të vijmë një natë papritur”/Erdogan sfidon hapur Greqinë, Mitsotakis: Ndalo vënien në dyshim të sovranitetit të ishujve!

Duket se nuk kanë munguar momentet e tensionit në darkën e liderëve të mbledhur në Pragë. “Kathimerini” shkruan se ka shkaktuar tension tek pala greke fjala e presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan. Sipas të njëjtave burime, presidenti turk akuzoi Greqinë për rritjen e tensioneve dhe provokime. Menjëherë pas tij është ngritur kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis. Ai iu drejtua drejtpërdrejt Erdoganit duke i kërkuar të ndalonte vënien në dyshim të sovranitetit të ishujve.

“Kathimerini” shkruan se ai i tha Erdoganit që në vend se të provokojë, duhet të ulet me mirëkuptim dhe dialog, pa tensione dhe retorikë ekstreme, siç bëjnë liderët përgjegjës. Mediat greke i kanë bërë jehonë edhe një deklarate të fortë të Erdogan. “Për çdo vend që na shqetëson dhe na sulmon, përgjigja jonë është: “Mund të vijmë një natë papritur” – tha presidenti turk.

I pyetur nga një gazetar nëse me këtë deklaratë do të thoshte se do të sulmonte Greqinë, presidenti turk u përgjigj: “Ju e keni kuptuar mirë çështjen. Cilido vend që na shqetëson dhe na sulmon, përgjigja jonë është “Mund të vijmë papritur një natë”. Kështu duhet ta dinë dhe ta kuptojnë. Meqë ti e kuptove ashtu, edhe ata ashtu e kuptuan”.

Erdogan theksoi se Turqia po sheh se disa vende anëtare të BE po përshkallëzojnë tensionet, në vend që të ndjekin marrëdhënie të mira fqinjësore me Turqinë.

“Këtu dua të nënvizoj sa vijon: Turqia nuk ka aspirata për sovranitetin, territoret, të drejtat e asnjë vendi. Ne po luftojmë vetëm për të mbrojtur interesat e vendit tonë dhe të turqve qipriotë. Ne nuk duam tensione me asnjë nga fqinjët tanë. Ne kemi deklaruar vazhdimisht se duam t’i zgjidhim problemet e Mesdheut Lindor dhe Egjeut në kuadrin e së drejtës ndërkombëtare.

Pres nga BE-ja të ftojmë bashkëbiseduesit tanë në dialog mbi baza dypalëshe. Të bëjnë këtë në vend që të mbështesin tensionet dhe paligjshërinë. Për një zgjidhje të përhershme duhet të pranohen të dhënat për ishullin e Qipros” – tha Erdogan.

Show More

Related Articles

Back to top button