Për 20 familje në nevojë janë siguruar dru për ngrohje nga Bashkësia Lokale e fshatit Çajlë, gjegjësisht tre vëllezërit Rushiti nga ky fshat, të cilët jetojnë dhe veprojnë në Gjermani. Aktiviteti humanitar ka ardhur pas thirrjes në rrjetet sociale nga kryetari i B.L të Çajlës, Sinan Elezi, i cili kërkoi nga bamirësit të solidarizohen me nevojtarët në këtë kohë krize, pasi siç ai thotë, numri i tyre është rritur dukshëm dhe shumica kanë nevojë edhe për dru për ngrohje për stinën e ftohtë të vitit. Shpërndarja drunjve për ngrohje u bë sot, ndërsa familjet që do të ndihmohen janë kryesisht nga fshati Çajlë dhe dy janë nga fshati Balindoll.
“Sot kemi krizë të madhe ekonomike, sidomos me shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe gjësendet tjera bazë për ushqim. Pastaj, ka njerëz që këtë krizë nuk mund ta përballojnë dhe ideja për të ndihmuar erdhi pas shumë telefonatave që kam marrë nga nevojtarët për t’i ndihmuar. I kam parë vetë se cila është gjendja e këtyre familjeve dhe ata vërtetë kanë nevojë. Apelojë të gjithë bamirësit të ndihmojnë, pasi vërtetë ka nevojë për ndihmë në këtë periudhë, dhe jo vetëm te ne të vijnë, le të japin edhe vetë e ku të duan që më lehtë të përballohet kjo krizë”, deklaron Sinan Elezi, kryetar i B.L. të fshatit Çajlë.
Elezi tha se vëllezërit Rushiti kanë ndihmuar nevojtarët e fshatit Çajlë gjithmonë kur ka qenë nevoja, ndërsa aksionin e fundit e bëjnë në nderë e përkujtim të babait të tyre të ndjerë.
“Janë tre vëllezër që gjenden në Gjermani dhe ndajnë dru për 20 familje pikërisht në këtë kohë të krizës ekonomike. Këta si vëllezër nuk kanë dhënë vetëm tani ndihmë, ata kanë ndihmuar edhe në të kaluarën me produkte ushimore çdo nevojtar nga fshati Çajlë”, deklaron Sinan Elezi, kryetar i B.L. të fshatit Çajlë.
Ndihma me dru për ngrohje për nevojtarët pason edhe veprimtari të tjera humanitare të mbështetura nga Bashkësia Lokale e fshatit Çajlë përmes donatorëve dhe mërgatës në këto ditë të vështira për familjet në nevojë.