Qeveria po punon për vazhdimin e aktivitetit ekonomik, për të mbështetur kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve, për të ruajtur likuiditetin si të buxhetit ashtu edhe të ekonomisë në përgjithësi, thotë kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Ai në emisionin “Klik Plus” në Tv 21 tha se ka pritshmëri pozitive nga negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar për sigurimin e financave për përballimin e krizës energjetike.
“Mendoj se ministri i Financave në ditët në vijim do të ketë lajme pozitive për ekonominë dhe buxhetin dhe për qytetarët për negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe negociatat me institucionet tjera financiare dhe kreditorët”, tha Kovaçevski.
Ai ritheksoi se Ministria e Punës dhe Politikës Sociale tashmë po përgatit masa për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve dhe po bëhen kalkulime për kompanitë për subvencionimin e çmimit të energjisë elektrike dhe për prokurimin përmes kontratave direkte me shtetet tjera me çmim më të ulët.