Nuk ka ende një dokument të pranueshëm për të dyja palët që do të ishte bazë për veton e Bullgarisë.
E ndërsa ambasadori i BE-së në vend shpreh shpresa të mëdha se negociatat më në fund do të fillojnë gjatë presidencës franceze të BE-së, disa aktorë të brendshëm politikë besojnë se vetoja do të mbetet për një kohë të gjatë.
Marrëdhëniet me Republikën e Maqedonisë së Veriut ishin tema kryesore e këshillit të jashtëzakonshëm të koalicionit treorësh të mbrëmshëm të partnerëve të qeverisë bullgare, i cili u mbajt me kërkesë të kryeministrit të Bullgarisë Kiril Petkov.
Shefja e kabinetit politik të kryeministrit Petkov, Lena Borislavova, pas këshillit të koalicionit tha se koalicioni ka pasur një dialog konstruktiv për këtë temë, e cila, sipas saj, është jashtëzakonisht e rëndësishme për shoqërinë bullgare dhe për këtë arsye do të kalojë përmes kuvendit bullgar.
“Ende nuk ka asnjë dokument të pranueshëm për të dyja palët që do të jetë bazë për ngritjen e vetos nga Bullgaria”, tha dje kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke theksuar se fillimi i negociatave me BE-në nuk varet nga qeveria, por nga zgjidhja e mosmarrëveshjes së hapur me Bullgarinë dhe vendimin e 27 anëtarëve të BE-së.
“Në asnjë moment nuk jam lidhur me afatizimet për datën e fillimit të negociatave, sepse ajo datë nuk varet nga ne, por nga dy palët, sepse ne kemi një mosmarrëveshje të hapur me Republikën e Bullgarisë, e cila vuri veton për fillimin e negociatave. Natyrisht varet nga vendimi i BE-së, pra të 27 anëtarëve. Pra, funksionimi dhe puna e një qeverie nuk mund të lidhet me një datë të vetme”, tha Kovaçevski.
Kryeministri theksoi se nuk ka informacione për mbajtjen e këshillit të koalicionit qeveritar bullgar për temën mbi Maqedoninë, duke ritheksuar se deri më tani nuk ka marrëveshje me Bullgarinë.
“Siç e informuam kryeministrin bullgar Petkov pas takimit në Romë, ende nuk ka një dokument të pranueshëm për të dyja palët, i cili mund të jetë bazë për fillimin e negociatave me BE-në, gjegjësisht ngritjen e vetos nga ana e Bullgarisë”, tha Kovaçevski.
Shpresa të mëdha për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë gjatë presidencës franceze shprehu ambasadori i BE-së në vend, David Geer, dje në konferencën “Zërat bullgarë për Evropën”, të mbajtur në Shkup.
Para pjesëmarrësve në konferencë, e cila është pjesë e debateve të Konferencës për Ardhmërinë e Evropës, Geer theksoi se institucionet e BE-së janë të vendosura të përkushtuara për avancimin e procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe theksoi se vlerësojnë shumë përpjekjet e bëra nga të gjitha palët për të çuar përpara këtë proces.