Të paktën pesë persona janë vrarë dhe 12 janë plagosur nga shpërthimet që goditën kryeqytetin ukrainas mëngjesin e së hënës.
Sipas Sky News, përcjell Telegrafi, ky numër është konfirmuar nga policia ukrainase, por mendohet se numri mund të jetë më i lartë.
Ndërkohë Rostyslav Smyrnov, një ndihmës i ministrit të brendshëm, tha se bëhet fjalë për tetë të vrarë dhe 24 të plagosur si rezultat i sulmeve.
Ai tregoi se gjashtë makina ishin përfshirë nga flakët pas sulmit fillestar – dhe 15 automjete të tjera u dëmtuan më pas.
Shpërthime janë vërejtur sot në disa qytete të tjera të Ukrainës, por numri i të vdekurve dhe të plagosurve në vende të tjera mbetet i paqartë.
Deri më sot, kryeqyteti ukrainas kishte kaluar disa muaj relativisht të qetë.
Moska dështoi të merrte kontrollin e Kievit në fillim të luftës dhe kishte kthyer vëmendjen e saj në jug dhe në lindje. /Telegrafi/