BotaLajmeRajon

Hungaria dhe Serbia pajtohen për ndërtimin e naftësjellësit rus

Serbia dhe Hungaria janë pajtuar të ndërtojnë një naftësjellës që do t’i mundësonte Serbisë të furnizohej me “naftë më të lirë nga Uralet, duke u lidhur në tubacionin e naftës ‘Miqësia’”.

Ndërtimi i naftësjellësit u dakordua pasi që Bashkimi Evropian miratoi pakon e tetë të sanksioneve ndaj Rusisë, që kufizon importin e naftës së papërpunuar ruse. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrja Ana Bërnabiq, kanë akuzuar Kroacinë se ka iniciuar nismën që Serbia të mos përjashtohet nga ndalimi i importit të naftës, që parashihet në pakon e tetë të sanksioneve.

Vuçiq tha se për shkak të këtij fakti, Serbia më nuk e konsideron Kroacinë si furnizuese të besueshme, dhe se do të duhet të diversifikojë burimet e naftës dhe shtoi se ka diskutuar me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, për mundësinë e lidhjes në naftësjellësin “Miqësia”, që sjellë gaz nga Rusia në Hungari, përmes Ukrainës. Nafta ruse arrin në Serbi përmes Naftësjellësit të Adriatikut (JANAF).

Zëdhënësi i Qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs, shkroi në Twitter se për këtë gjë, Serbia ka të ngjarë që në të ardhmen të mos pranojë më naftë përmes Kroacisë.

“Aktualisht, furnizimet me naftë kryesisht kalojnë përmes tubacioneve nëpër Kroaci, por ka pak të ngjarë që kjo do të vazhdojë në të ardhmen, për shkak të sanksioneve të miratuara”, shkroi ai.

Hungaria, që po ashtu varet shumë nga nafta dhe gazi rus, ka mbështetur pakon e re të sanksioneve kundër Rusisë.

Dega jugore e naftësjellësit “Miqësia” kalon përmes Ukrainës në Hungari, më pas në Sllovaki dhe në Republikën Çeke, dhe është burimi kryesor i naftës së papërpunuar për këto tri shtete.

Show More

Related Articles

Back to top button