Me të njëjtin parim siç është ndihmuar financiarisht kompania BEG, e njëjta gjë duhet bërë edhe me Ngrohtoren Shkup Veri, shkruan Alsat.
Kjo është kërkesa e drejtorit të Ngrohtores, Kushtrim Ramadani, në të cilën janë lidhur 500 amvisëri që jetojnë në komunën e Çairit dhe Butelit.
Ramadani thotë se javën e kaluar ka dërguar kërkesë për ndihmë për prokurimin e gazit natyror në Qeveri, në Ministrinë e Ekonomisë dhe në Ministrinë e Financave.
Mirëpo, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, thotë për Alsat se Ngrohtorja Shkup Veri do të duhet të dërgojë kërkesë për ndihmë tek EMV-ja.
Sipas informacioneve të siguruara nga Alsat, Ngrohtorja Shkup Veri ka blerë gaz natyror për prodhimin e energjisë termike deri në fund të këtij muaji. Ramadani ka kërkuar që ngrohtorja, të cilën ai e menaxhon, të marrë subvencione nga shteti për faturat.
“Ka pasur vendim të qeverisë më 31 janar 2022 për çmimin e Komisionit Rregullator të Energjetikës dhe qeveria ka marrë vendim për subvencionimin e amvisërive. Faturojmë me çmimin e vjetër dhe presim që diferenca të shlyhet nga Qeveria”, tha Kushtrim Ramadani, drejtor i Ngrohtores Shkup Veri.
Ngrohtorja Shkup Veri ishte e para që filloi ngrohjen e shtëpive të përdoruesve të saj, para fillimit të sezonit të ngrohjes për shkak të temperaturave që kanë zbritur nën 12 gradë. Ndryshe, çmimi i lartë i gazit natyror ishte arsyeja kryesore pse kompania private Balkan Energy Group hoqi dorë nga biznesi i ngrohjes në Shkup. Në këtë rrjet janë të lidhura rreth 60 mijë familje.
Autoritetet sigurojnë se të gjithë në Shkup do të kenë ngrohje më datë 15 tetor, kur praktikisht fillon sezoni i ngrohjes. Sipas Ligjit për Energjetikë, radiatorët tashmë duhet të jenë të ngrohtë sepse e lejojnë temperaturat më të ulëta./ Alsat.mkc