LajmeRajon

Edhe Prishtina sot solidarizohet me gratë në Iran

Sot do të mbahet një protestë në solidaritet me gratë në Iran, e organizuar nga OJQ “Youth Initiative for Human Rights Kosovo – YIHR KS”, dhe pritet të nis në ora 12:00 te sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë.

Irani është përfshirë kohët e fundit nga protesta të shumta pas vdekjes së një 22-vjeçareje, e cila ishte arrestuar nga e ashtuquajtura polici e moralit, pasi nuk kishte vendosur në mënyrë të duhur shaminë e saj në përputhje me rregullat e atjeshme.

Shumica e protestuesve ishin gra dhe ato hoqën shamitë e tyre të detyrueshme, apo hixhabet gjatë marshimit pas vdekjes së Mahsa Aminit, e cila u ndalua nga policia e mbikëqyrjes së sjelljes nën pretendimet për mosvënien si duhet të shamisë së saj.

Videot në internet tregojnë gra që valëvisin shamitë e tyre, duke brohoritur. Të tjera i kanë djegur ato ose kanë prerë flokët e tyre në shenjë zemërimi ndaj rastit që ndodhi.

Vdekja e Aminit ka zemëruar shumë iranianë, veçanërisht të rinjtë, të cilët e shohin këtë ngjarje si aktin më të fundit të një politike të ashpër të Republikës Islamike ndaj disidentëve dhe trajtimit gjithnjë e më të dhunshëm ndaj grave të reja nga policia mbikëqyrëse e moralit.

Në disa nga demonstratat, protestuesit janë përleshur me policinë.

Ndërkohë, policia e atjeshme e mohoi keqtrajtimin e Aminit dhe tha se ajo ka vdekur nga një atak në zemër. Presidenti Ebrahaim Raisi premtoi se kjo ngjarje do të hetohet.

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk