BotaLajmeRajon

Liberalizimi i vizave sot në rend dite në takimin e Grupit punues të Këshillit Evropian

Komisioni Evropian ditë më parë u ka dërguar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian një dokument ku rithekson se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Një vlerësim të tillë Komisioni Evropian e ka dhënë edhe në Raportin e Progresit për Kosovën, të publikuar një ditë më parë. KE rithekson se mbetet në fuqi propozimi që BE-ja t’i liberalizojë vizat për Kosovën.

E sot çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, i vetmi vend në Evropë që është me regjim të vizave do të jetë temë diskutimi në takimin e Grupit punues të Këshillit Evropian.

Lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave ka folur të mërkurën edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Në konferencën për media pasi pranoi Raportin e progresit, Kurti është shprehur optimist për çështjen e liberalizimit të vizave dhe ka thënë se qeveria e tij e ka përmirësuar imazhin e Kosovës.

“Para tre muajve janë bërë katër vjet prej se Komisioni Evropian për herë të dytë ka rekomanduar heqjen e regjimit të vizave për qytetarët tanë, për të ja shtuar edhe më tej vlerën Kosovës dhe orientimit të saj është qeveria jonë e cila e ka përmirësuar imazhin e Kosovës, pra edhe ata që kanë qenë skeptik nuk kanë pse të jenë skeptik meqenëse edhe imazhi i Kosovës është përmirësuar dukshëm gjatë vitit 2021-2022. Prandaj edhe jemi optimist dhe nuk besoj që duhet të përgatitemi tash paraprakisht për skenarë negativ dhe nuk besoj që ka as arsye as logjikë e as plane për kushte të reja, kushtet janë kryer, janë ato 95 dhe ne me optimizëm shikojmë përpara”, ka thënë kryeministri.

E gjatë një raportimi në Komisionin për integrime evropiane, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi bëri të ditur çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë pika e pestë e agjendës në takimin e Grupit punues të Këshillit Evropian, që do të mbahet më 13 tetor.

“Sa i përket liberalizmit të vizave me sa e di është pika e pestë e agjendës së takimit të ardhshëm të Grupit punës që mbahet më 12 dhe 13 tetor. Pika për Kosovën do të jetë në agjendë, do të jetë më 13 tetor. Për ta vendosur në agjendë këtë temë disa nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë kërkuar një rifreskim, rivlerësim të raportit të Komisionit Evropian për atë se çfarë progresi ka pasur Kosova nga viti 2018, kur ka qenë vlerësimi i fundit e deri tani”, tha zëvendëskryeministri.

Ai tha se lidhur me këtë stafi i tij me departamentet e integrimeve evropiane kanë përgatitur një input prej 33 faqesh që ia kanë dërguar Komisionit Evropian.

“Nga ky cili nga ky material Komisioni Evropian ka përgatit një raport të shkurtër të rivlerësimit që nesër i shpërndahet vendeve anëtare dhe javën tjetër diskutohet në mbledhjen e përbashkët”, ishte shprehur Bislimi.

“Hapi i parë është ky, pastaj janë edhe pesë të tjerë. Ne shpresojmë se këto hapa mund të përmbyllen në një periudhë relativisht të shkurtër të shkurtër, por është e padobishme të dalim me datë kur do të ndodhë liberalizimi i vizave.

Por jo të gjithë janë optimistë rreth liberalizimit të vizave.

Lidhur me takimin e sotshëm, këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Shchneeberger në një prononcim për Telegrafin ka thënë se i vlerëson të ulëta shanset që të vendoset diçka pozitive sa i përket liberalizimit në takimin e së enjtes.

“Fatkeqësisht, i vlerësoj mjaft të ulëta shanset që liberalizimi i vizave të ndodh tani. Ka shumë fjalë të bukura, por i kemi dëgjuar edhe në qershor. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk erdhi. Më në fund duhet të ndalojnë së dhëni shpresë dhe pastaj të mos ketë asgjë. Liberalizimi i vizave duhet të ndodh të paktën”, ka thënë Shchneeberger.

Ajo ka shtuar se ky diskriminim i pabazë që po u bëhet qytetarëve të Kosovës, më në fund duhet të ndalet.

“Kosovarët nuk janë evropianë të nivelit të ulët. Sido që të jetë unë do të vazhdoj lobimin tim derisa të vijë përfundimisht liberalizimi i vizave”, u shpreh Shchneeberger.

Kujtojmë se Shchneeberger muaj më parë kishte nisur mbledhjen e nënshkrimeve përmes një peticioni online, ku kërkonte heqjen e vizave për Kosovën.

Lidhur me nënshkrimet e mbledhura, Shchneeberger tha për Telegrafin se ato i dërgoi te presidenti francez, Emmanuel Macron, Presidenti i Parlamentit Evropian, Presidentit të Komisionit Evropian dhe Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, por që nuk mori përgjigje.

Por regjimi i vizave i ka kushtuar shumë qytetarëve të Kosovës. Kosovarët kanë shpenzuar 89 milionë euro për pajisjen me vizë Schengen.

Megjithëse ka dhjetë vjet pas fillimit të dialogut për viza dhe katër vjet nga zbatimi i standardeve, Kosova është ende në pritje të një regjimi pa viza me BE-në.

Ka sinjale pozitive nga BE-ja për të përmbyllur procesin e shumë vonuar të liberalizimit për Kosovën. Javët në vijim janë vendimtare. Me një vendim pozitiv me datën 13 tetor 2022, në takimin e Grupit Punues për Viza të Komisionit Evropian, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hynte në rrugën formale të miratimit, i cili mund të zgjasë disa muaj.

Lidhur me procesin e liberalizimit të vizave optimistë janë shprehur edhe qytetarët e Kosovës. /Telegrafi/

Show More

Related Articles

Back to top button