BotaLajme

143 vende në OKB votuan kundër aneksimit rus në Ukrainë, Xhaçka: Bota nuk do të pranojë një shkelje kaq flagrante

Ministrja shqiptare e Jashtme, Olta Xhaçka ka përshëndetur votimin e mbrëmshëm në Organizatën e Kombeve të Bashkuara kundër aneksimit të territorit të Ukrainës nga Rusia nëpërmjet referendumeve të rreme.

Në një postim në rrjetet sociale, Xhaçka u shpreh se 143 vende refuzuan aneksimin e paligjshëm rus.

“Tashmë është e qartë për të gjithë se referendumet e rreme nuk mund të fshehin paligjshmërinë e rrëmbimit të tokës nga Rusia. Bota nuk do të pranojë një shkelje kaq flagrante të së drejtës ndërkombëtare”, ka shtuar ministrja.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka dënuar “përpjekjen për aneksimin e paligjshëm” të Rusisë të katër rajoneve pjesërisht të pushtuara në Ukrainë dhe u bëri thirrje të gjitha vendeve që të mos e njohin masën.

Tre të katërtat e Asamblesë së Përgjithshme prej 193 anëtarësh – 143 vende – votuan në favor të një rezolute që ripohoi gjithashtu sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

Ndërkohë, vetëm katër vende iu bashkuan Rusisë në votimin kundër rezolutës – Siria, Nikaragua, Koreja e Veriut dhe Bjellorusia, raporton CNN. /Telegrafi/

Show More

Related Articles

Back to top button