Ministria e Shëndetësisë duhet të paguajë 8,5 milionë euro për shkak të shfuqizimit të marrëveshjes për ndërtimin e Qendrës Klinike “Nënë Tereza”, njoftoi televizioni Sitel. Marrëveshjen e ka nënshkruar ministri Nikolla Todorov në kohën kur kryeministër ishte Nikolla Gruevski. Këtë marrëveshje e ka shfuqizuar ish ministri Venko Filipçe, ndërkaq Ministria në krye me Bekim Sali duhet t’ia paguajë gjobat një kompanie italiane.
Sipas informatave të televizionit, në MSH tanimë kanë arritur letrat nga kompania dhe ekipi i juristëve kërkon mënyra që ta zvogëlojë shumën, por edhe të mos paguajë kamatë.
Nga Ministria e Shëndetësisë, as e demantojnë, as e konfirmojnë informatës se duhet të harxhojnë shumë para për shfuqizimin e marrëveshjes.
Në vitin 2017-të, kur Nikolla Todorov ishte ministër teknik e nënshjkruajti marrëveshjen me kompaninë italiane dhe tha se objekti i ri do të ndërtohet për 5 vite dhe do të kushtojë 72 milionë euro.
Paraprakisht, ministri i Shëndetësisë në asnjë rast nuk konfirmoi se kompania me të cilën e ka shfuqizuar marrëveshjen do të kërkojë gjobë. Gjykata e Arbitrazhit është një prej opsioneve të kreut aktual të sistemit shëndetësor që të mos japë kaq para në kohë të krizës ekonomike.
Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, në korrik të këtij viti deklaroi se ndërtimi i qendrës klinike mbetet prioritet numër një për të, por se ende nuk është gjetur zgjidhja më e mirë financiare për ndërtimin e tij.
“Për mua si ministër prej ditës së parë të marrjes së funksionit, prioriteti numër një mbetet qendra e re klinike. Ai është projekt kompleks i cili kërkon disa zgjidhje në mesin e të cilave dhe pjesën financiare. Për shkak të mungesës së deritanishme të zgjidhjes më të mirë financiare për realizimin e këtij projekti, ne vazhdojmë me renovimin dhe avancimin e kushteve për punën e përditshme të klinikave tona në tërë shtetin dhe të punësuarit tanë në këto klinika”, ka deklaruar Sali.
Përndryshe, për Qendrën Klinike u premtua që nga viti 2012 nga ish kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, megjithëse iniciativa konkrete kishte nga ish ministri i Shëndetësisë Imer Selmani që nga viti 2007, por që u ndalua për shkak të borxheve të mëdha që i kishin spitalet. Edhe ish ministri pas tij shqiptar, Bujar Osmani pati iniciativë, por edhe kjo dështoi si iniciativë.
Gjatë premtimit të Qendrës Klinike nga Gruevski shuma fillestare u caktua 50 milionë euro, por ajo shkoi duke u rritur dhe kapi vlerën prej 70 milionë euro e cila sipas informatave të mediave përfshinë edhe kredi në vlerë prej 130 milionë euro. Të gjitha këto rritje vlerash u bënë derisa në krye të Ministrisë së Shëndetësisë ishte Nikolla Todorov.\Portalb.mk\