Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç deklaroi se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës është agresion dhe shkelje e së drejtës ndërkombëtare, por mbetet e qëndrimit se sanksionet nuk janë përgjigja dhe zgjidhja më e mirë.
Bërnabiç tha se presioni ndaj Beogradit do të vazhdojë sërish për këtë çështje, shkruan Euroneës Serbia.
“Jam e sigurt se do të kemi shumë biseda të tjera dhe është një temë e domosdoshme, gjatë çdo takimi që kemi me vendet anëtare të BE-së dhe me vetë BE-në, si dhe me Delegacionin e BE-së në Serbi. Unë i qëndroj qëndrimit tonë, sanksionet kundër Rusisë nuk janë në interesin më të mirë kombëtar të Serbisë, po ashtu, nuk janë diçka që populli ynë e mbështet, sepse ishte objekt i sanksioneve dhe ne e dimë se sa vuajnë njerëzit”, theksoi ajo.
Ditën e djeshme, Komisioni i Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian miratoi raportin për strategjinë e re të zgjerimit.
Përmes këtij raporti kërkohet që procesi i negociatave të anëtarësimit të Serbisë në bllokun evropian, por edhe dhënia e fondeve të BE-së, të kushtëzohet me mbështetjen e Beogradit për sanksionet ndaj Moskës.
© SYRI.net