BotaLajme

Paralajmërimi i Borrell për Rusinë nëse përdor armë bërthamore

Tensioni vazhdon të rritet, ose të paktën kjo është ajo që duket nga deklaratat e diplomatëve. Shembulli i fundit është ai i Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Josep Borrell.

Ai ka paralajmëruar se, nëse Moska do të vendoste të kryente një sulm bërthamor kundër Ukrainës, ushtria ruse do të “asgjësohej”. Sipas tij, BE-ja, NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara do të përgjigjeshin nëse do të ndodhte një ofensivë me këtë lloj armatimi.

Në një fjalim në qytetin belg të Bryzhit, mbajtur para Akademisë Diplomatike Evropiane, Borrell u shpreh se Moska nuk mund të përballojë “blofe” në përdorimin e armëve bërthamore. “Duhet të jetë e qartë se ata që mbështesin Ukrainën (Shtetet e Bashkuara, NATO dhe BE) nuk po bëjnë bllof”, theksoi ai.

“Një sulm bërthamor do të ketë një përgjigje. Jo një përgjigje bërthamore, por një përgjigje kaq e fuqishme ushtarakisht sa ushtria ruse do të asgjësohej”, paralajmëroi Borrell, i cili ka këmbëngulur se Evropa po përjeton një “moment serioz” në histori, në të cilin shtetet anëtare duhet të demonstrojnë “unitetin e tyre.

Ndërkohë, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi në një intervistë në kanalin publik “France 2” se Franca nuk do të përgjigjej me armë bërthamore nëse Rusia i përdor ato në Ukrainë për shkak të “interesave themelore të kombit”.

“Doktrina jonë mbështetet në interesat themelore të kombit. Ato janë të përcaktuara qartë dhe nuk do të prekeshin drejtpërdrejt nëse, për shembull, do të kishte një sulm bërthamor në Ukrainë”, theksoi Macron.

Show More

Related Articles

Back to top button