Dezinformatat në internet në vendin tonë po përhapen me shpejtësi dhe të tilla janë gjithnjë e më shumë. Komisioni Evropian gjithashtu shprehu shqetësim për këtë çështje në Raportin e fundit për vitin 2022 mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian, shkruan Vërtetëmatësi.
Raporti thekson se ka “kërcënime në rritje nga dezinformatat”, dhe vë në dukje mediat online dhe rrjetet sociale si burimin kryesor të llojeve të ndryshme të dezinformatave.
• Mediat online nuk rregullohen nga një ligj specifik dhe ka pikëpamje të ndryshme për nevojën e rregullimit, veçanërisht duke pasur parasysh kërcënimet në rritje nga dezinformatat. Mediat online dhe platformat e mediave sociale janë burimi kryesor i dezinformimit, keqinformimit, gjuhës së urrejtjes, shkeljes së standardeve profesionale dhe shkeljes së të drejtave të pronësisë intelektuale, thuhet në Raportin e KE-së për vitin 2022.
Në kontekst të dezinformatave që vijnë në lidhje me luftën në Ukrainë, Komisioni vë në dukje në Raport faktin se në mars 2022 qeveria ndaloi ritransmetimin e kanaleve televizive ruse duke ndyshuar Ligjin për Masat Kufizuese.
• Gjuha e urrejtjes është e ndaluar si në internet ashtu edhe jashtë tij, por ajo vazhdon në internet, thekson Komisioni Evropian.
Për Agjencinë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, nga atje theksojnë se ishte proaktive në promovimin e shkathtësive mediatike, barazisë gjinore në programet mediatike, si dhe në dënimin e presioneve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe mediave. Më pas ,shtohet se:
• Transparenca e pronësisë së medias është një detyrim ligjor për mediat audio-vizuale dhe ato të shkruara. Megjithatë, nuk ka detyrime ligjore për mediat online në lidhje me pronësinë e mediave.
Në lidhje me kërcënimet hibride, Komisioni vë në dukje se Maqedonia e Veriut përfundoi hulumtimin për rreziqet hibride të BE-së, me qëllim identifikimin e dobësive sistematike dhe racionalizimin e ndihmës së ofruar nga BE-ja në këtë fushë.
• Bazuar në rekomandimet e BE-së nga hulumtimi, qeveria miratoi Strategjinë Kombëtare për Ndërtimin e Rezistencës dhe Trajtimit të Kërcënimeve Hibride (2021-2025), së bashku me një Plan Veprimi në dhjetor të vitit 2021, i cili përfshinte një sferë të gjerë veprimesh për të trajtuar sfidat e dezinformimit dhe kërcënimet hibride, thonë nga KE.
Për të përmirësuar situatën, sipas Komisionit, nevojiten fushata për të informuar palët e interesuara dhe publikun e gjerë në mënyrë që të rritet rezistenca e tyre ndaj dezinformatave.
Komisioni Evropian shton se shoqatat e mediave duhet të vazhdojnë me promovimin e regjistrit të krijuar të mediave online (promedia.mk) në mënyrë që të rritet profesionalizmi dhe standardet e gazetarisë në internet.
“Vërtetmatësi” duke përdorur metodologji profesionale gjithëpërfshirëse dhe të standardizuar të verifikimit të fakteve vitin e kaluar recenzoi qindra postime të pavërteta për tema të ndryshme, si në rrjetet sociale, ashtu edhe dezinformata të publikuara në media.
Dezinformatat nuk janë problem vetëm në Maqedoninë e Veriut
Dezinformimi është një problem global dhe nuk është i pranishëm vetëm në Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare po përballen gjithashtu me këtë sfidë në rritje të shpejtë.
Maria Gabriel, Komisionerja Evropiane për Inovacion, Hulumtim, Kulturë, Arsim dhe Rini pak ditë më parë tha se:
• Keqinformimi përhapet në internet gjashtë herë më shpejt se e vërteta.
Ajo iu referua një studimi, sipas të cilit 80 për qind e qytetarëve të BE-së i shohin lajmet e rreme si problem në vendin e tyre dhe për demokracinë. Sipas saj, të dhënat tregojnë se gjysma e evropianëve të moshës 15 vjeç nuk dinë të dallojnë dezinformatat. Komisioneri evropian theksoi se keqinformimi çon në përçarje në shoqëri dhe shkakton dëme.