Presidentin Erdogan duket se e kanë zënë ethet e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Parlamenti turk i udhëhequr nga partia Drejtësi dhe Zhvillim ka miratuar një ligj anti-shpifje të cilin opozita dhe shoqëria civile e lidh me zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Deputetët e Parlamentit turk të udhëhequr nga partia e presidentit Rexhep Tajip Erdogan kanë miratuar një ligj të ri për mediet i cili parashikon dënimin me tre vjet burgim për këdo që publikon informacione të rreme, apo fake-news.
Legjislacioni është kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut të cilët thonë se kufizon lirinë e shprehjes në më pak se një vit para se vendi t’u drejtohet zgjedhjeve presidenciale.
Ligji, që u miratua mbrëmjen e 13 tetorit, u propozua nga partia në pushtet e presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe aleatët e tij ultra-nacionalistë në Parlament.
Miratimi i këtij legjislacioni erdhi vetëm një ditë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës kërkoi nga autoritetet në Ankara që të mos e miratojnë ligjin.
Sipas ligjit, gazetarët dhe përdoruesit e medieve sociale të cilët postojnë informacione që autoritetet i konsiderojnë të rreme lidhur me “sigurinë e brendshme dhe të jashtme të shtetit, rendit publik apo shëndetit publik mund të dënohen deri në tre vjet burgim.
Paqartësia se çfarë cilësohet lajm i rremë rriti shqetësimet e opozitës dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut.
Zoti Erdogan, i cili i ka quajtur mediet sociale si kërcënim për demokracinë, pritet që të përballet me sfidë të fortë ndaj qeverisjes së tij 20 vjeçare në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.