Më dy tetor të këtij viti dështoi vazhdimi i rigjykimit ndaj njësisë paraushtarake serbe “Çakallët” në Beograd.
Ata akuzohen si fajtor për masakrat në Qyshk, Lubeniq, Pavlan e Zahaq. Televizioni Dukagjini në Beograd ka biseduar me monitorues të këtij procesi, përderisa sjellë edhe rrëfimin e të mbijetuarit të masakrës së Qyshkut, Ardian Kelmendi.
“Familja ime fillon prej këtu…”. Shtatë familjarë dhe dy mysafirë iu vranë Ardian Kelmendit, në 14 majin e vitit 1999.
Vetëm në fshatin e Kelmendit, në Qyshk, për një ditë u vranë 47 persona.
Vet ai nuk e di se si i shpëtoi ekzekutimit.
“Vetëm ymri, as nuk kesh më i miri, as më i keqi. Vetëm ymër kam pas, bash këtu ku jam kam qenë i dorëzuar për disa minuta, më kanë marrë më kanë qitë për me më pushkatu, prej të parëve, tjerët burra i kanë pushkatuar, kurse unë edhe disa të tjerë kemi shpëtuar”, ka thënë Kelmendi.
Në cilësinë e të mbijetuarit të masakrës, ai ka dëshmuar edhe në Beograd, më procesin gjyqësor që po zgjatë tash e 12 vjet.
Të akuzuar janë anëtarët e njësisë paraushtarake “Çakallët”
Marina Kljajiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, e ka përcjell gjykimin nga fillimi dhe tregon që një seancë dështoi të mbahej vetëm para pak ditësh, për shkak se njëri nga të burgosurit nuk u soll në gjykim.
Kljajiq fajin kryesor për këtë zvarritje të procesit ia lë Prokurorisë.
“Më shumë faj këtu mund të themi se ka prokuroria e cila hyri në këtë procedurë e papërgatitur, kështu që aktakuza para së gjithash u plotësua me krime të reja dhe me të pandehur të rinj, prej të cilëve disa kanë ikur e të tjerë kanë vdekur. Puna më e madhe ka përfunduar, kështu që shpresojmë që brenda një viti të përfundoj lënda të paktën në shkallë të parë”, ka theksuar Kljajiq.
E dëshmia në Serbi, për Ardian Kelmendin nuk ka qenë e lehtë.
“Çdo herë ka qenë e rëndë, sidomos në Serbi ka qenë diçka e ftohshme dhe e pabesueshme. Për ne ka qenë një “vullnet i këputur”, për të shkuar dhe për të dëshmuar në Serbi, se vet e kemi ditur, do të thotë tek qata që të kanë vra, me shkuar me dëshmua me ju thënë ju na e keni bërë kështu, ne e kemi ditë që nuk mundet me ndodhë një dënim i merituar”, ka shtuar Kelmendi.
Në vitin 2014, shkalla e parë i dënoi nëntë luftëtarë serb me një total prej 106 vitesh burgim, por më pas Apeli e ktheu lëndën në rigjykim.