Dy civilë janë vrarë dhe pesë janë plagosur nga bombardimet, ndërsa trupat ruse hynë në periferi të qytetit ukrainas Severodonetsk, informoi guvernatori i rajonit të Luhansk, Serhiy Haidai.
Shumica prej tyre janë banorë të një blloku në pjesën e vjetër të qytetit, tha ai dhe shtoi se ata po përgatisnin ushqim në oborr kur papritmas filluan granatimet.
Agjencia e lajmeve Reuters citoi guvernatorin të ketë thënë se “luftimet e ashpra po vazhdojnë për Severodonetsk dhe Lysychansk” dhe ai e përshkruan situatën si “shumë të vështirë”.
“Armiku ka vendosur të gjitha armët e mundshme, duke përfshirë aviacionin. Megjithatë, ushtria jonë po qëndron fort për të mos lejuar që armiku të hyjë më thellë në vend”, tha Haidai.
Qyteti fqinj i Lysychanskut mbetet nën kontrollin e Ukrainës dhe evakuimet po kryhen nga qyteti, shtoi ai, shkruan BBC./21Media/