Rama letër shteteve të KiE për raportin e Dick Martyt: Hiqeni njollën e turpit mbi kombin tonë!
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, se i ka nisur një letër kryetarëve të shteteve e qeverive të të gjitha vendeve anëtare të Këshillit të Europës, përmes së cilës iu kërkon “heqjen e njollës së turpit të trafikimit të organeve njerëzore mbi kombin tonë dhe mbi vetë Këshillin e Europës”.
Rama tha se akuzat e ngritura nga ish-prokurorja Carla Del Ponte kishin qenë tërësisht jobindëse dhe librin e saj ku ngriti pretendimet, Rama e quajti “trillim joletrar”.
“Njëmbëdhjetë vjet më vonë, të gjitha përpjekjet për hetime të bëra qysh atëherë, kombëtarisht, në rajon a ndërkombëtarisht, për të provuar pretendimet për trafikimin e organeve njerëzore, ia kanë dalë të vërtetojnë atë që dihej: nuk ka absolutisht asnjë provë, qoftë në Shqipëri a gjetkë në rajon, për nxjerrje dhe trafikim organesh, e cila do të mund t’i ngarkohej qoftë edhe një pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për më tepër, aktakuzat e paraqitura nga Dhomat e Specializuara në Hagë nuk përmbajnë as edhe një fjalë të vetme lidhur me nxjerrjen dhe trafikimin e pretenduar të organeve njerëzore”, thuhet në letrën që Rama iu drejtoi qeverive të shteteve anëtare të KiE.
“Sado e çuditshme të duket kjo, nuk ka fakte, nuk ka autorë, nuk ka viktima të trafikimit të organeve njerëzore. Raporti dhe rezoluta që pasoi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës u mbështetën më tepër në spekulime sesa në fakte, në thashetheme që qarkullonin në vend të provave. Ato tanimë janë kthyer në një njollosje të pamerituar të atyre që janë akuzuar pa të drejtë dhe në një turp për politikën ndërkombëtare”, vazhdon më tej letra.
Rama tha se mbetet me shpresë në mbështetjen e këtyre shteteve dhe atë të anëtarëve të delegacionit të vendit tuaj në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës për miratimin e kërkesës së dorëzuar nga Shqipëria për nisjen e procedurës që do të çojë në një raport vijues, si “korrigjim i ndershëm dhe i domosdoshëm i një gabimi tragjik, pasojat e të cilit vazhdojnë të na përndjekin”.