Edhe pse plakja e popullsisë është shndërruar vitet e fundit në një fenomen alarmant, Maqedonia e Veriut gjithsesi renditet si një prej vendeve me popullsi relativisht të re në Evropë. Ajo radhitet e teta me moshë mesatare më të vogël se 40 e popullsisë (39.8 vjeç).
Sipas Eurostat mosha mediane (që ndan popullsinë në dy pjesë të barabarta, një me moshat nën moshën mediane dhe tjetra mbi moshën mediane) është shumë më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian prej 44.1 vjeç. Maqedonia ka popullsinë e tetë më të re në Evropë, pas Kosovës (30.5 vjeç- viti 2020), e cila renditet e para në Evropë, Turqisë (32.8), Islandës (36.7), Shqipërisë (37.6).. e Malit të Zi (39.3). Në rajon, popullsia me moshën më të vjetër është në Serbi (44 vjeç).
Sipas regjistrimit më të fundit të popullsisë në shtator të vitit 2021, Maqedonia e Veriut numëron 1.836.713 banorë, që do të thotë 223.081 njerëz ose 10 për qind më pak se popullsia e vlerësuar në vitin 2016 dhe 236.989 persona ose 11.4 për qind më pak krahasuar me vitin 2011.
Rritja e numrit të vdekjeve, sidomos gjatë periudhës 2 vjeçare të pandemisë dhe ulja e numrit të lindjeve e kanë zhvendosur kufirin e moshës mesatare që po i afrohet 40 vjeç.
“Në periudhën nga viti 2011 deri në vitin 2021, numri i lindjeve është ulur për 4.122, dhe lindshmëria është ulur nga 11.2 ‰ në 10.2 ‰ (lindje për 1,000 banorë). Ndryshimet në strukturën moshore të popullsisë kanë reflektimin e tyre në numrin e vdekjeve në vend. Numri i personave që vdiqën kontribuoi në rritjen e shkallës së vdekshmërisë, e cila në vitin 2021 ishte 15,5 ‰, në ndryshim nga viti 2011 kur ishte 9.5 ‰ (vdekje për 1000 banorë)”, thuhet në të dhënat zyrtare.
Në periudhën nga 2010 deri në 2020, pjesëmarrja e popullsisë së re (0-14 vjeç) në total u zvogëlua nga 17.4 për qind në 16.1 për qind dhe pjesa e popullsisë së moshuar (mbi 65 vjeç ) u rrit nga 11.7 për qind në 14.8 për qind. Sa takon rajoneve, popullsia më e re në Maqedoni është kryesisht në vendbanimet shqiptare, si Pollogu që është renditur si rajoni i parë, sa i takon moshës mesatare më të re të popullsisë (37 vjeç), kufi ky që po rritet.
Sipas Eurostat, në vitin 2021, mosha mesatare e BE-së ishte 44.1 vjeç, nga 43.9 në 2020. Shumica e rajoneve të kryeqytetit në BE kishin popullsi relativisht të reja, megjithëse, rajoni francez i Mayotte kishte, deri tani, moshën mesatare më të ulët (17.7 vjeç). e ndjekur nga Guyane (26.3 vjet). Në Evropë, shteti më i plakur është Italia (47.6), i ndjekur nga Gjermania (45.9), Portugalia (45.8), Greqia (45.5), Bullgaria (45), Spanja (44.7)./Koha/