Mes retorikës së pandërprerë agresive dhe kërcënimet për nisjen e luftës, regjimi i Erdogan konfirmon se prej kohësh është përfshirë në një luftë hibride shumëplanëshe kundër helenizmit, si në Greqi ashtu edhe në Qipro”.
Kështu e nis artikullin e saj media greke Protothema, e cila raporton se shërbimi sekret turk MIT po ngre një njësi të re speciale me qëllim kryerjen e operacioneve sekrete në Greqi, për të ngritur provokime të ndryshme.
Kjo njësi, ekzistencën e së cilës MIT nuk e ka pranuar publikisht, synon të ngrejë provokime të ndryshme, të cilat jo vetëm do të përkeqësojnë tensionin ekzistues, por mund të përdoren edhe si pretekst për aksionin ushtarak turk kundër Greqisë.
Formimi i kësaj njësie speciale u zbulua nga faqja Nordic Monitor, e cila është e lidhur me lëvizjen Gyleniste.
“Erdogan, i cili në muajt e fundit ka kërcënuar në mënyrë të përsëritur Greqinë me një pushtim, projektoi dhe zhvilloi një njësi sekrete, të trajnuar posaçërisht të lidhur me MIT, për të ngacmuar marrëdhëniet me Greqinë, një aleat i NATO-s dhe vend fqinj”, ka shkruar gazetari turk në mërgim Abdullah Bozkurt i cili ka publikuar lajmin.
Gazetari turk tregon se plani i detajuar për këto operacione-provokime sekrete në tokën greke është gati dhe i është dorëzuar për miratim vetë Erdoganit.
Madje ai përmend se plani do të zbatohet kur të afrohen zgjedhjet presidenciale në Turqi në qershor të vitit 2023. Ai u shpreh se qëllimi i Erdoganit është të arrijë një “fitore të lehtë” mbi Greqinë , me synimin për të ndezur nacionalizmin në popullin turk dhe për t’i bashkuar ata rreth tij elektoralisht. Kriza ekonomike ka gërryer ndjeshëm apelin elektoral të Erdoganit, pasi shtresat popullore që e votojnë janë më të prekurat.
Prandaj, duke qenë se ai nuk mund të bëjë shumë në fushën ekonomike, për t’u rizgjedhur presidenti turk do të luajë kartën nacionaliste dhe ekspansioniste.
Sipas Nordic Monitor , plani i këtij grupi special, emri i koduar i të cilit mbetet i panjohur, përfshin goditje të shumta, ndër to sabotimi në ishujt grekë të Egjeut Lindor, por edhe instrumentalizimi më sistematik i Migracionit.
Kastelorizo konsiderohet si një objektiv më i mundshëm, pa përjashtuar ishujt në qendër të Egjeut Lindor.
Një tjetër provokim është ngritja e flamurit turk në një ose më shumë ishuj grekë. Është një skenë që të kujton atë që ndodhi në vitin 1996 në Imia. Parashikohen edhe operacione ku pala rturke kryen sulme në dëm të vetes, dhe për to akuzohet Greqia.
Kjo praktikë është e zakonshme dhe turqit e kanë aplikuar atë edhe në Qipro që nga vitet 1960.
© SYRI.net