Sindikata e punonjësve universitarë në Shqipëri deklaroi se do të ndërpresë plotësisht mësimin në shenjë proteste ndaj mosreagimit të qeverisë për t’iu përgjigjur kërkesës së saj për rritjen e pagave me 50 për qind brenda dy viteve dhe përmirësimit të kushteve akademike dhe të kërkimit shkencor.
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk ka asnjë mundësi që të rriten pagat e pedagogëve, të cilët kanë hyrë sot në ditën e dytë të protestës.
Gjatë një takimi me Rektorët e Universiteteve Publike dhe Jopublike, Rama tha “koha kur qeveria rrit pagat sepse kërkojnë sindikatat, ka mbaruar, bashkë me reformën e arsimit të lartë. E tha ministrja, është hera e fundit që bëjmë rritje page uniforme. Do të mbështesim më shumë ata që i sjellin më shumë shoqërisë”.
“Duhet të jetë shumë e qartë që bota akademike, universitare, është diçka ndryshe. Që do të thotë, universitetet nuk janë gjimnaze apo 9-vjeçare. Trupat pedagogjike nuk janë trupa të infermierëve apo mjekëve, apo punonjësve të policisë apo ushtarake, që mbahen vetëm me pagën e shtetit. Dhe që përgjithësisht janë uniforme pagat. Universiteti është mes shtetit dhe tregut, që do të thotë duhet ta ketë pjesë të ADN-së së vet, thithjen e të ardhurave nga tregu. Të jetë një aktor në treg, ashtu sikundër të jetë magnet për të thithur fonde nga të katër anët për kërkim shkencor apo projekte”.