Kancelari gjerman Olaf Sholc rifilloi Procesin e Berlinit, kushtuar integrimit të përshpejtuar në BE, të gjashtë vendeve nga Ballkani Perëndimor. Krahas nismave ekzistuese për lidhje infrastrukturore dhe bashkëpunim ekonomik, kësaj radhe në Berlin do të vihen në tryezë temat e sigurisë energjetike dhe solidaritetit. Diplomatja e MPJ-së gjermane, Suzan Shutc, në intervistën e fundit për “Deutsche Welle” thotë se ky proces synon të mbajë gjallë perspektivën evropiane.
“Jemi shumë të lumtur që më 19 korrik, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut filluan negociatat për anëtarësim në BE. Kjo është me të vërtetë një pikë kthese në rrugën e tyre drejt anëtarësimit të BE-së. Ishte gjithashtu një sinjal i rëndësishëm për pjesën tjetër të rajonit se procesi i zgjerimit të BE-së, është ende gjallë dhe se premtimi i bërë për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u bërë anëtarë të BE-së, është një realitet”, tha Suzan Shuc, MPJ e Gjermanisë.
Shuc thotë se procesi i Berlinit është një katalizator për integrim më të shpejtë në Union, dhe është e rëndësishme që ai të përfshijë të gjashtë vendet e rajonit, për dallim nga Ballkani i Hapur në të cilin janë Maqedonia, Shqipëria e Serbia.
“Ballkani i Hapur është deri tani një iniciativë që funksionon mes tre vendeve, dhe ne mendojmë se gjithëpërfshirja e procesit është e rëndësishme; nuk duhet të ketë dyfishime, por duhet të shkojnë dorë për dore. Është gjithashtu shumë e rëndësishme që të gjitha marrëveshjet që finalizohen në kuadër të Ballkanit të Hapur, të jenë në përputhje me të drejtën e BE-së”, u shpreh Suzan Shutc– MPJ e Gjermanisë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, nesër në Berlin do të takohet me kolegët e tij nga rajoni dhe Evropa, ku do të bisedojë për migrimin, krimin e organizuar dhe korrupsionin. Shefi i diplomacisë Bujar Osmani, të premten do të bisedojë për pajtim me ministra të tjerë nga rajoni, ndër të cilët edhe me atë bullgar, Nikola Milkov. Javën e ardhshme janë planifikuar takime për energjinë dhe samiti përfundon me takimin e krerëve të shteteve dhe qeverive më 3 nëntor. Delegacioni i Maqedonisë s pritet të udhëhiqet nga kryeministri Kovaçevski./Alsat.mk