Shkup, 19 tetor – Bashkëpunimi rajonal në përballjen me fatkeqësitë natyrore do të jetë në fokus të takimit ministror për “Uljen e rrezikut nga fatkeqësitë në Mesdheun Lindor”, i cili të premten do të mbahet në Greqi me pjesëmarrjen e delegacioneve nga 17 vende, mes të cilave edhe Maqedonia e Veriut, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Takimi ministror është në kuadër të Dialogut për Udhërrëfyesin e Kombeve të Bashkuara për uljen e rrezikut nga fatkeqësitë dhe e organizon Ministria e Krizës Klimatike dhe Mbrojtjes Civile të Greqisë në bashkëpunim me Zyrën e KB-së.
Është planifikuar pjesëmarrja e delegacioneve nga 16 vende dhe nikoqire Greqia (Egjipti, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, Franca, Izraeli, Italia, Jordania, Kroacia, Qiproja, Libani, Mali i Zi, Palestina, Rumania dhe Turqia), si dhe përfaqësues nga Komisioni Evropian, Këshilli i Evropës dhe Unioni për Mesdheun.
Nga Maqedonia e Veriut është planifikuar të marrë pjesë edhe zëvendësministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Hristina Oxhaklieska.
Ministri i Krizës Klimatike dhe Mbrojtjes Civile i Greqisë, Christos Stilianidis, në konferencën e sotme teknike me gazetarët në prag të forumit, tha se takimi është në kontekst të kornizës Sendai për uljen e rrezikut nga fatkeqësitë, ndërsa në përgjigjen në pyetjen e korrespondentes së MIA-s nga Athina, theksoi se “nuk është konferencë teorike, por do të ketë edhe ndikim praktik, rezultat praktik”, duke pasur parasysh se në fund vendet pjesëmarrëse do të dalin me kumtesë të përbashkët.
Stilianidisi, duke folur për forumin dhe rëndësinë që të përshpejtohen proceset për bashkëpunim rajonal, tha se Mesdheu Lindor është “hot spot” dhe “nuk ekzistojnë zgjidhje vetëm në nivel kombëtar, gjegjësisht askush vet nuk mund të gjejë zgjidhje, sepse të gjithë jemi në të njëjtën situatë”.
Paralelisht tha se me takimin theksohet dhe konfirmohet se “roli i Greqisë në mekanizmin evropian për mbrojtje civile dhe në RescEU është shumë i rëndësishëm”.
Në forum, është planifikuar të mbahen tre punëtori dhe një takim ministror, ndërsa ministri i Krizës Klimatike dhe Mbrojtjes Civile të Greqisë do të mbajë edhe takime dypalëshe me kolegët e tij nga vendet pjesëmarrëse.