Escobar tha, se marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të arrihet shpejt. Duke marrë parasysh kontekstin e asaj që po ndodh, secili duhet të marrë përgjegjësi për të krijuar qëndrueshmëri, jo vetëm në Evropë, por edhe në rajon.
I ngarkuari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar para largimit nga Kosova dhe udhëtimit drejt Serbisë, tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht propozimin franko-gjerman për një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Escobar tha se diplomatët evropianë që janë të angazhuar në këtë proces i kanë thënë atij se kjo është çështje javësh. “Ne do ta mbështesim këtë. Ne mendojmë, se sikurse na është shpjeguar, ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës, dhe potencialisht Serbisë, në integrimet euro-atlantike. Po, e mbështesim plotësisht. Dhe, më duhet të shtoj se ne gjithmonë e kemi përkrahur njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe ne do ta mirëprisnim në OKB dhe në të gjitha strukturat e tjera evropiane”, tha zoti Escobar gjatë një interviste për mediumin kosovar kanal 10. Sipas të ngarkuarit amerikan “marrëveshja duhet të jetë e shpejtë, duke marrë parasysh kontekstin e asaj që po ndodhë, secili duhet të marrë përgjegjësi për të krijuar qëndrueshmëri, jo vetëm në Evropë, por edhe në rajon”.
Kurti: Kosova është treguar palë konstruktive
Gjatë qëndrimit në Kosovë, i ngarkuari amerikan, takoi Presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, liderët e partive opozitare dhe ata të Listës Srpska. Kryeministri Kurti, pas takimit tha se “përmes gatishmërisë për takime, vullnetit për marrëveshje dhe propozimeve konkrete, që japim, Kosova është treguar se është palë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut”. “Jemi të gatshëm dhe të përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër. E mirëpresim gjithmonë interesimin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces”, tha Kurti duke shtuar se Kosova dhe SHBA-të kanë vlera të përbashkëta dhe partnerë në qëllime.
“Rreshtimi i menjëhershëm i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar në vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe mbështetja e parezervë për Ukrainën dhe popullin e saj, përbëjnë dëshminë e aleancës dhe partneritetit tonë dhe në të njëjtën kohë dallimin me të gjithë ata të tjerët, të cilët nuk u rreshtuan siç duhet në anën e të vërtetës dhe të drejtës”, tha Kurti.
Escobar: Të shtyhet çështja e targave
Vizita e të ngarkuarit amerikan për Ballkanin Gabriel Escobar, ndodhi vetëm 10 ditë para se të kalojë afati kur qytetarët serbë me vetura me targa të qyteteve të Serbisë, nuk do të mund të qarkullojnë më në Kosovë. I dërguari amerikan, Gabriel Escobar, tha se i ka kërkuar qeverisë së Kosovës që vendimin e reciprocitetit për targat ta shtyjë me 10 muaj.
”Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që ta shtyjë vendimin për targat e veturave për nja 10 muaj. Nuk mora zotim as nga kryeministri Kurti, as nga presidentja Osmani për kërkesën tonë. Por, ne besojmë se është e rëndësishme që kur bëjmë rekomandime, njerëzit të dëgjojnë”, tha Escobar.
Afati i targave të veturave të serbëve me inicialet e qyteteve të Serbisë skadon me datën 31 tetor. Nga kjo datë këto vetura nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Rendit, vetëm 12 vetura të qytetarëve serbë janë kthyer nga targat ilegale në ato të Republikës së Kosovës. Gatishmëri për t’i kthyer targat ka, por sipas Ministrisë së Brendshme, “grupe kriminale, të orkestruara nga Beogradi, po i kërcënojnë qytetarët serbë dhe po i pengojnë ata që të realizojnë të drejtën e tyre”, thuhet në një njoftim. Janë me mijëra vetura me targa ilegale që qarkullojnë në territorin e Kosovës.
Ndërkohë i ngarkuari amerikan për Ballkanin Gabriel Escobar, gjatë së enjtes në Beograd do ta takojë presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq. Ky i fundit tha ditë më parë se Franca dhe Gjermania kanë paraqitur një dokument me të cilin kërkojnë që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por pa e njohur pavarësinë e saj. Gjatë ditës së premte ndërkaq, kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka ftuar udhëheqësit e partive politike opozitare për një takim, ndonëse, nuk ka treguar qëllimin e takimit.